Sigurimi i banesave nga zjarri apo tërmeti, në qytetin e Korçës janë shumë të pakta

Për të siguruar një banesë nga zjarri apo tërmeti kostoja është mesatarisht 1 euro për m2. Pra për një banesë rreth 100 m2, qytetari do të duhet të paguaje një shumë prej 100 eurosh në vit.
Pavarësisht rrezikut që vjen nga zjarri apo tërmeti, ngjarje të cilat mund të lenë edhe të pastrehe, qytetarëve iu duket një kosto e shtuar për buxhetin familjar të tyre, ndaj edhe shprehen se e kanë të pamundur të sigurojnë shtëpitë, pasi kanë të ardhura të pamjaftueshme, ndërsa një pjesë tregojnë se janë të papunë.
Sipas agjencive të sigurimeve në qytetin e Korçës, pas rasteve të zjarreve apo tërmetit, ka një ndërgjegjësim të qytetarëve të cilët kërkojnë informacione për të kryer sigurimin e banesave, por në shumicën e rasteve sigurimi nuk kryhet, dhe kur ngjarja harrohet, bashkë me të shuhet edhe interesi për sigurimin e shtëpive nga zjarri apo tërmeti.
Gazetare Kostanca Koçi
/rtsh.al/