Memorandum mirëkuptimi me kompaninë franceze SUEZ për menaxhimin e mbetjeve në Shqipëri

TIRANË, 19 shkurt/ATSH/ Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj priti në një takim ministrin e deleguar të Francës për Tregtinë e Jashtme dhe Atraktivitetin, Nicolas Forissier, ku morën pjesë edhe në nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit mes Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve dhe kompanisë franceze SUEZ.
Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, Jaupaj tha se “kjo marrëveshje vendos bazat e një partneriteti strategjik për ndërtimin e një sistemi të integruar të menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri përmes kompanisë SUEZ që sjell ekselencën franceze të sektorit në vendin tonë”.
“Marrëveshja është në përputhje me hierarkinë e BE-së dhe parimet e ekonomisë qarkulluese, duke parashikuar ekspertizë teknike, trajnimin e stafit të AKEM në impiantet referencë të SUEZ, analizimin e nevojave prioritare të bashkive, vlerësimin e zgjidhjeve teknologjike dhe identifikimin e mekanizmave të financimit për projekte konkrete”, theksoi Jaupaj.
Ministri Jaupaj bëri të ditur se “ky bashkëpunim vjen në vazhdën e fazës së dytë të reformës së mbetjeve, e cila lidhet me investimet, ku në zonat e menaxhimit të mbetjeve Tiranë-Durrës, Fier dhe Elbasan që përfaqësojnë 65% të volumit total të mbetjeve në vend, jemi në partneritet të ngushtë me ekspertizën franceze”.
Kompania franceze SUEZ është lidere botërore në fushën e menaxhimit të mbetjeve dhe ujërave, me ekspertizë të plotë në të gjithë zinxhirin e shërbimit që nga grumbullimi, ndarja dhe riciklimi, deri te trajtimi, me standarde që përfaqësojnë praktikat më të avancuara europiane në këtë sektor.
Ministri i deleguar francez i ngarkuar me Tregtinë e Jashtme dhe Atraktivitetin, Nicolas Forissier mbërriti dje në Shqipëri për një seri takimesh me zyrtarë të lartë qeveritarë.
/k.s/a.f/r.e/