Merr detyrën Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita

Ditën e sotme ka marrë detyrën Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita. Fjalën hapëse në ceremoni e mbajti zëvendëskryeministrja Albana Koçiu.
“Zgjedhja e tij në krye të Policisë, tregon se si ecet në shkallët e karrierës. Detyra e parë e drejtorit të ri të policisë, është forcimi i standardit të policisë, i kësaj organizate, që është ndër organizatat më të rëndësishme të shtetit shqiptar. Policia ka rol kyç në procesin e integrimit të vendin në BE Uniforma e Policisë së Shtetit të mbahet vetëm nga ata që e meritojnë”, tha Koçiu.
Hita pason në këtë detyrë Ilir Prodën. Ai iu nënshtrua një konkursi mes 14 kandidatëve, të cilët kaluan në filtrin e Komisionit të Posaçëm në Ministrinë e Brendshme, në garën e hapur më 3 mars.
I pranishëm në ceremoni ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme Besfort Lamallari.
Ai tha se përzgjedhja e drejtuesit të ri ka kaluar në disa faza, me qëllim garantimin që drejtimi i këtij institucioni kyç t’i besohej një figure të besueshme.
Duke u ndalur te drejtori i ri, Lamallari deklaroi se Hita gëzon mbështetjen e plotë të ministrisë dhe qeverisë, duke shtuar se ai është një figurë me përvojë dhe profesionalizëm që garanton stabilitet dhe vazhdimësi në drejtimin e Policisë së Shtetit.
“Është kënaqësi që të marr pjesë në këtë moment të rëndësishëm për Policisë së Shtetit për drejtorin e ri, në një kohë kur nevoja për këtë strukturë është e madhe. Përtej solemnitetit të këtij rasti, dua të nënvizoj disa fakte. Për të mbërritur në këtë proces, u kaluan disa faza. U sigurua që drejtim i këtij institucioni kyç t’i besohet një figure me besim. Fituesi duhet të ishte një dhe vetëm një, por vlerësoj të gjitha kandidaturat. Lidhur me kandidatin fitues, që ka marrë bekimin e ministrit dhe qeverisë, jam i bindur, që të gjithë që jeni këtu sot, ndani bindjen se zoti Skënder Hita është një figurë e rëndësishme, duke garantuar stabilitet. Është personalitet karriere. Duhet të përmbushim misionin tonë, si shërbëtorë publikë ndaj vendit. Integrimi i vendit në BE bëhet si mision me rëndësi, në kontekstin ku ndodhet sot Shqipëria. Negociatat janë të hapura dhe progresi i Shqipërisë po vlerësohet nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Kjo nuk është retorikë. Shqipëria ka zgjedhur rrugën e stabilitetin”, tha Lamallari.
Hita ka shërbyer në polici nga veriu në jug, me karrierë në ngjitje në 10 vitet e fundit. Një prej detyrave më të rëndësishme ishte drejtimi i Policisë së Shkodrës në vitin 2021. Së fundmi, Skënder Hita drejtonte Fierin, qark i rëndësishëm me potencial krimi, por që vitin që lamë pas e mbylli me vetëm 2 vrasje, krim në familje./vizionplus.tv