E Diel, 1 Nëntor 2026

Metani: Ekuilibri mes pavarësisë së magjistratëve dhe interesit legjitim të publikut, busulla e ILD-së

TIRANË, 9 dhjetor /ATSH/ Inspektori i Lartë i Drejtësisë organizoi një pasdite pune mbi inspektimin disiplinor në Shqipëri. I konceptuar si një moment reflektimi për vlerat dhe kontributin ndër vite të inspektimit disiplinor të magjistratëve dhe njerëzve që kanë punuar aty, në aktivitet u shfaq dokumentari televiziv, “Të inspektosh drejtësinë”, përgatitur si një historik i zhvillimeve të inspektimit disiplinor prej viteve 90-të e deri në ditët e sotme.

Historiku i procesit disiplinor ndaj magjistratëve, që daton me shpalljen e pavarësisë në vitin 1912, u soll përmes një botimi të posaçëm të përgatitur nga Prof. Erind Mërkuri “Historik i përgjithshëm i procesit disiplinor ndaj magjistratëve në Shqipëri (1912 – 2025)”, si një dokumentim i përpjekjeve të hershme të vendit tonë për ta mbajtur sistemin e drejtësisë të përgjegjshëm.

Aktiviteti bëri bashkë drejtues e përfaqësues të institucioneve të drejtësisë në vend, të gjykatave e zyrave të prokurorive, kontributorë të shërbimit të inspektimit ndër vite, akademikë e studiues.

Gjatë fjalës së tij, kreu i ILD-së, Artur Metani, theksoi rëndësinë e prodhimit të një dokumentimi historik lidhur me ecurinë e inspektimit gjyqësor në Shqipëri që nga viti 1912.

Sipas tij, ky botim ofron një panoramë të qartë të zhvillimeve historike të shërbimit të inspektimit gjyqësor.

“Materialet që botohen në këtë libër përbëjnë një pjesë shumë të rëndësishme nga tradita institucionale e drejtësisë shqiptare. Besoj se janë materiale, pak të njohura për shumë prej nesh. Me përjashtim të studiuesve të veçantë për këtë fushë, komuniteti i juristëve të interesuar për zhvillimet e drejtësisë në Shqipëri, nuk e kanë pasur mundësinë të njihen drejtpërdrejt me materialet që paraqitura në këtë libër nëpërmjet burimeve arkivore”, tha ai.

Metani tha se materiali është paraqitur pa interpretime apo komente, vetëm përmes dokumenteve autentike të marra nga burimet arkivore.

“Ndodh, që edhe botimet e thjeshta me objekt temën historike, mund të ngjallin debat. Por, me këtë botim, ne nuk kemi dashur të bëjmë asnjë interpretim apo koment mbi ngjarjet historike, që kanë shënjuar lindjen dhe zhvillimin e inspektimit gjyqësor. Ne kemi zgjedhur të paraqesim dokumentet në formën e tyre të pastër, ashtu siç dalin në burimet arkivore, me qëllimin e vetëm për të sjellë në dritë të vërtetën historike”, theksoi ai.

Inspektori i ILD-së u ndal edhe tek zhvillimi i institucionit të inspektoratit të drejtësisë ndër vite në vendin tonë. Gjatë fjalës së tij, Metani u ndal edhe tek miratimi i Reformës në Drejtësi që sipas tij solli një arkitekturë të re institucionale, ku Inspektori i Lartë i Drejtësisë mori për herë të parë kompetencën e vetme për proceset disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Metani nënvizoi se zgjedhja në krye të ILD-së shënoi fillimin e një përgjegjësie për vendosjen e standardeve profesionale.

“Në këtë arkitekturë të re, procesi disiplinor vjen për herë të parë si kompetencë e një institucioni të vetëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, një institucion i pavarur kushtetues, që ka përgjegjësinë e inspektimit disiplinor për gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve. Zgjedhja në detyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë erdhi me përgjegjësinë e jashtëzakonshme, për përballjen me ngritjen e një institucioni të tillë me themele të forta profesionale, me pritshmëritë e publikut dhe aktorëve të tjerë politikë e institucionalë dhe me pritshmëritë e vetë sistemit të drejtësisë. Duke mos patur model paraardhës, vendosja e standardeve të tilla dhe mbi të gjitha, ruajtja e ekuilibrit mes pavarësisë së magjistratëve dhe interesit krejt legjitim të publikut për mënyrën se si administrohet drejtësia, ishte dhe mbetet busulla orientuese e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, shtoi Metani.

“Kjo mbetet sfida më e madhe profesionale dhe personale e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, jo për stabilitet institucional, por duke e parë këtë balancë interesash, si një parim kushtetues të rëndësishëm për të ardhmen e sistemit të drejtësisë dhe të shtetit të së drejtës. Natyrshëm si çdo proces, edhe testimi i kësaj filozofie pune, kërkon periudhën e vet të përballjes me sfidat që kalon sistemi dhe koha do të tregojë qëndrueshmërinë e zbatimit të saj në praktikë, si dhe efektet afatgjata në sistem”, tha ai.

Autori i botimit, Erind Mërkuri nënvizoi faktin se shërbimi disiplinor i magjistratëve ka një histori dhe traditë në vendin tonë. Përcjellja e saj sidomos në formë dokumentare është e rëndësishme sepse respektimi i traditës si nevojë e shtetbërjes është një thesar kulturor. Për ta ilustruar, ai solli një shprehje të Sir Riger Aëcutron, sipas të cilit “Jemi me fat që po ndërtojmë mbi arritjet e paraardhësve tanë dhe gjëja e rëndësishme është t’i ruajmë ato arritje e të mos i hedhim tutje”

Akademiku Shaban Sinani vlerësoi botimin si një nisëm shumë të rëndësishme që periodizon në mënyrë shkencore fazat në të cilat ka kaluar shërbimi disiplinor shqiptar në shekullin e fundit. Vlerë e veçantë e botimit, sipas akademikut është promovimi i trashëgimisë në një fushë jo shumë të promovuar.

Konferenca e ILD mbi inspektimin disiplinor, foto: Andrin Hoxha 1 nga 12

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›