E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mijëra qytetarë festojnë në Elbasan në prag të Ditës së Verës

TIRANË, 13 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau pamje live nga festimet në Elbasan, ku mbrëmjen e sotme mijëra qytetarë janë mbledhur në sheshin qendror për të kremtuar në prag të Ditës së Verës.

Në qendër të qytetit atmosfera festive është shoqëruar me tingujt e muzikës nga koncerti festiv dhe me drita të shumta dekorative, duke sjellë një mbrëmje plot gjallëri për banorët dhe vizitorët.

Dita e Verës është një nga festat më të vjetra pagane shqiptare, me rrënjë që shtrihen thellë në lashtësi dhe që simbolizon largimin e dimrit dhe ardhjen e pranverës. Kjo festë ka krijuar prej vitesh traditën e saj, jo vetëm në Elbasan, por edhe në qytete të tjera të vendit, veçanërisht në Tiranë.

Në këtë ditë të shënuar, Elbasani kthehet në qendër të festimeve me aktivitete të ndryshme, që nga shëtitjet dhe ekskursionet në natyrë, deri te dreka tradicionale familjare ku nuk mungojnë ballokumet, ëmbëlsira tipike e kësaj feste.

Sipas traditës, zanafilla e Ditës së Verës lidhet me faltoren e Zanës së Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e Elbasanit. Ajo konsiderohej perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe natyrës. Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e saj më 14 mars, duke shënuar ardhjen e stinës së re.

Një tjetër simbol i kësaj feste është “verorja”, një byzylyk me fije të bardha dhe të kuqe që lidhet në kyçin e dorës dhe hiqet kur shfaqet dallëndyshja e parë. Në disa krahina, veroret varen në degë pemësh që, sipas besimit popullor, dallëndyshet t’i marrin e të sjellin mbarësi.

E trashëguar brez pas brezi, Dita e Verës mbetet një nga festat më përfaqësuese të traditës shqiptare dhe një simbol që identifikon veçanërisht qytetin e Elbasanit.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›