RTSH hap në YouTube kanalin “RTSH Arkiv”, Gjini: Një thesar audioviziv shqiptar që ia ofrojmë publikut

Radio Televizioni Shqiptar ka hapur kanalin e ri zyrtar në YouTube, të quajtur “RTSH Arkiv”, një hap i rëndësishëm për të sjellë më pranë publikut pasurinë e jashtëzakonshme të arkivit audioviziv shqiptar.
Në këtë kanal do të transmetohen vazhdimisht filma shqiptarë, telekomedi, skeçe humoristike, spektakle, dokumentarë dhe emisione historike, të cilat për dekada kanë qenë pjesë e memories artistike dhe kulturore të vendit.
I ftuar në studion e emisionit “Mirëmëngjes Shqipëri”, drejtori i Web-it në Radio Televizioni Shqiptar, Valdi Gjini, u shpreh se ky është kanali i dytë zyrtar i RTSH-së në YouTube dhe është i dedikuar plotësisht për arkivin historik të institucionit.
Sipas tij, hapja e kanalit vjen si pjesë e vizionit për rivitalizimin dhe digjitalizimin e arkivës së RTSH-së. Ai theksoi se procesi është i gjatë dhe zhvillohet paralelisht mes Drejtorisë së Arkivit dhe Drejtorisë së Web-it, me qëllim digjitalizimin dhe publikimin e materialeve historike për publikun në mbarë botën.
“Ky është një kanal i dytë, zyrtar i RTSh dhe është kanal i dedikuar për arkivin historike të RTSH i quajtur “RTSH Arkiv”. Vjen në këtë moment pas vizionit dhe udhëheqjes së drejtoreshës së përgjithshme për të rivitalizuar arkivin dhe për ta digjitalizuar. Është një proces shumë i gjatë që ecën paralelisht bashkë me Drejtorinë e Arkivit me digjitalizimin dhe publikimin e tyre në kanalin zyrtar të RTSh “Arkiv” tashmë kanali i 2, i aksesueshëm nga të gjitha vendet e botës”, u shpreh Gjini.
Gjini shtoi se një ekip i tërë po punon për përzgjedhjen, publikimin dhe mirëmbajtjen e materialeve në kanal, ku përfshihen ngjarje të rëndësishme historike, spektakle, humor, telekomedi dhe filma të vjetër që kanë lënë gjurmë në kujtesën e publikut shqiptar.
“Është një proces i gjatë që vazhdon aktualisht dhe do të vazhdojë ka një ekip të tërë që punon si nga arkiva ashtu dhe nga Drejtoria e WEB-it për hedhjen dhe pasurimin e tyre, mirëmbajtjen dhe bëhet fjalë për ngjarje të shumta historike të arkivës së RTSh dhe do të kontribuoj më së mirë për të ruajtur memorien dhe identitetin audiviziv publik të Shqipërisë dhe çdo spektakël, humor, komedi, telekomedi, filma të vjetër që kanë lënë gjurmë në kujtesë, gjithçka do të jetë aty. Duhet të theksohet që e gjitha është një proces në vazhdim dhe nuk mbaron me kaq dhe gjithçka është karakterizuar me playlist sipas tematikës specifike dhe do të pasurohet në vazhdim”, u shpreh Drejtori i WEB-it.
Ai theksoi gjithashtu se kanali “RTSH Arkiv” është i aksesueshëm pa pagesë dhe mjafton vetëm një abonim (subscribe) për të ndjekur materialet. Videot janë të organizuara në playlista sipas tematikave, si filma të vjetër shqiptarë dhe prodhime të RTSH-së, duke respektuar njëkohësisht edhe të drejtën e autorit.
“RTSh Arkiv’, mjafton vetëm një subscribe nga të gjithë qytetarët dhe është pa asnjë kosto, pa asnjë pagesë dhe do të gjeni gjithçka që është hedhur. Ka playlista të caktuara dhe ato aktuale janë të filmave të vjetër shqiptar, prodhime të RTSh duke ruajtur në këtë formë për çdo material që hidhet aty të drejtën e autorit. Është një detyrim tashmë i RTSh, gjen zgjidhje dhe zbatim dhe sigurisht kemi gjetur dhe mbështetje nga Drejtoresha e Përgjithshme, zonja Vasili, për ta sjellë për publikun dhe për të hapur këtë thesar dhe t’ja ofrojmë publikut shqiptar”, theksoi ai.
/rtsh.al/