Minatorët e Spaçit protestë para Kuvendit, thirrje për plotësimin e kërkesave

Këtë të enjte (31 tetor) punonjësit e nëntokës së minierës së bakrit në Spaç protestuan në godinën para parlamentit. Prej 19 ditësh ndërprerje të punës minatorët e grumbulluar me pankarta në duar iu drejtuan me thirrje ligjvënësve.
Duke kërkuar të respektohen të drejtat ligjore një pjesë e deputetëve u ndalën duke premtuar për punonjësit ngritjen e zërit në emër të tyre edhe nga foltorja e kuvendit.
“Jo vetëm unë, por edhe deputetët e tjerë e kanë mbështetur dhe do i shkojmë deri në fund dhe do kërkojmë dhe njohjen ligjore për statusin e minatorit për të mbështetur këtë grup që është më i përsekutuar dhe më pak i vlerësuar”, tha deputetja e PD-së, Jorida Tabaku.
“Përmirësimi i kushteve të punës, i të ardhurave tuaja për një punë që s’është e lehtë. Duhet ta kuptojë ai pronar atje, ta kuptojë edhe çdo ministër, edhe qeveria, që është puna juaj ajo që krijon ato të ardhura. Nëse kjo çështje nuk zbardhet, unë dhe ministrja e Ekonomisë do të përballemi në Parlament”, tha deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe.
Krahas protestës nga minatorët e Spaçit, një tjetër u zhvillua edhe nga ish-minatorë, sot në pension.
Minatorët e Spaçit në Mirditë kanë vendosur të mos tërhiqen deri në marrjen e një përgjigjeje, ndryshe paralajmërojnë përshkallëzim të protestës. Ata kërkojnë njohjen zyrtare të sindikatës dhe nënshkrimin e kontratës kolektive të punës, që sipas tyre janë thelbësore jo vetëm për garantimin e kushteve më të mira të punës por edhe të të drejtave.
Gazetare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/