Ministeriali i Evropës Juglindore, Hasani: Shqipëria në rrugën e duhur drejt BE-së! Ministri thirrje Izraelit dhe Iranit të vetëpërmbahen

Shqipëria përmbylli me sukses Presidencën e saj të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (#SEECP) për periudhën korrik 2024 – qershor 2025, me moton “Formësojmë të ardhmen tonë evropiane”.
Ditën e sotme Tirana mirëpriti krerë shtetesh dhe përfaqësues të lartë nga 13 vende pjesëmarrëse në Ministerialin përmbyllës.
Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria është fokusuar në tre prioritete: forcimin e bashkëpunimit politik, përshpejtimin e integrimit ekonomik dhe rezultate konkrete në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Në fjalën e tij hapëse, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, theksoi rolin aktiv të Shqipërisë në nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe në përshpejtimin e integrimit evropian. Ai rikujtoi se gjatë kësaj periudhe, Shqipëria ka drejtuar me sukses pesë presidenca rajonale dhe ndërkombëtare: Bashkëpunimin Ekonomik të Detit të Zi, Kartën e Adriatikut, Nismën e Evropës Qendrore, Nismën për Azil, Migracion dhe Refugjatë, si dhe vetë SEECP-në. Po ashtu, ai përmendi organizimin në Tiranë të Samitit të 6-të të Komunitetit Politik Evropian më 16 maj 2025, si një moment kyç për dialogun mbi sigurinë, demokracinë dhe zhvillimin ekonomik në Evropë.
Ministri Hasani nënvizoi se bashkëpunimi rajonal forcon themelet për anëtarësimin në BE, një hap i domosdoshëm dhe plotësues për të ardhmen e rajonit
Hasani: Kjo mbledhje nuk është një rast formal por një mundësi e vlefshme për të reflektuar ku jemi, të harmonizojmë vizionet tona dhe të ecim përpara me energji të ripërtërirë. Mblidhemi bashkë në kohë transformimesh të thella për rajonin tonë. Në fakt kjo mbetet një platformë dhe një hapësirë politike ku të gjithë pjesëmarrësit kanë një zë të barabartë dhe ku vizioni ynë politk për rajonin merr formë. Bashkëpunimi ynë është bërë më strategjik dhe më i harmonizuar me politikat e BE-së. Është e qartë për të gjithë ne se bashkëpunimini rajonal nuk është zëvendësues për anëtarësimin në BE, por një hap i nevojshëm përplotësues, ku krijojmë mundësi për tregti, thjeshtojmë lëvizshmërinë për qytetarët. Shqipëria ka qenë një anëtare e përkushtuar e këtij procesi. Kemi mbështetur plotësisht zhvillimin e tregut të përbashkët rajonal. Jemi krenarë për arritjet konkrete si marrëveshje për roaming, për uljen e tarifave me BE, korsitë e gjelbra dhe blu dhe 5 marrëveshjet e lëvizshmërisë që janë nënshkruar në kuadër të porcesit të Berlinit.
Shqipëria mbetet e angazhuar në rrugëtimin e vet transformues. Agjenda jonë e reformave nxitet nga angazhimi i thellë ndaj demokracisë, shtetit të së drejtës, të drejtat e njeriut dhe besojmë se zgjerimi i BE nuk është vetëm një proces politik, por një investim strategjik për stabilitet dhe paqe në të gjithë Evropën. Shqipëria është në rrugën e duhur dhe e anagzhuar plotësisht për të çuar përpara rrugën e anëtarësimit, synimi ynë është ambicioz por edhe i arritshëm për të çelur të gjithë grup kapitujt brenda këtij viti. Po punojmë me vendosmëri për ta bërë Shqipërinë gati për në BE përpara fundvitit të kësaj dekade. Ky është objektiv rajonal, pasi suksesi i fqinjëve tanë ësht edhe suksesi ynë.
Ministri Hasani u ndal edhe te tensionet në Lindjen e Mesme. Hasani u bëri thirrje Izraelit dhe Iranit që të vetëpërmbahen dhe të angazhohen në përpjekje diplomatike për uljen e tensioneve.
Hasani: Ne jemi të shqetësuar nga tensionet në Lindjen e Mesme sidomos përballjet mes Izraelit dhe Iranit që paraqesin një rrezik serioz për stabilitetin rajonal me pasoja globale. Shqipëria rikonfirmon të drejtën e Izraelit për të ruajtur sigurinë e vet nga kërcënimet. I bëjmë thirrje Iranit të ndalë aktivtet e veta bërthamore dhe të raketave balistike dhe të veprojë në përputhje të plotë me detyrimet e veta. Përdorimi apo zhvillimi i armëve bërthamore do të kishte pasoja katastrofike. Shqipëria u bën thirje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje dhe të angazhohen në përpjekje diplomatike për uljen e tensioneve.
SEECP përfshin 13 vende pjesëmarrëse: Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Malin e Zi, Rumaninë, Serbinë, Slloveninë, Kosovën dhe Turqinë. Si platformë e iniciuar nga vetë vendet e rajonit, SEECP mbetet një mekanizëm i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit, zgjidhjen e sfidave të përbashkëta dhe përgatitjen për integrim të plotë në strukturat evropiane dhe euroatlantike.
/vizionplus.tv