E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Malaj: Ekonomia shqiptare e qëndrueshme, menaxhimi i kujdesshëm fiskal ka forcuar financat publike

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, mori pjesë në Takimet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Grupit të Bankës Botërore, të cilat u zhvilluan në datat 13-18 Prill 2026, në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shqipëria u përfaqësua në këto takime nga një delegacion i nivelit të lartë, ku merrnin pjesë dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, Zëvendësministri i Financave, z. Endrit Yzeiraj, si dhe drejtues të tjerë të lartë të Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë. Qëllimi i këtyre takimeve ishte diskutimi në nivel ndërkombëtar i zhvillimeve ekonomike globale dhe çështjeve me rëndësi ndërkombëtare, si perspektiva e rritjes, stabiliteti financiar dhe reduktimi i varfërisë.

Ministri Malaj zhvilloi një sërë takimesh me drejtues të lartë të FMN dhe BB, si Drejtorin e Departamentit Europian në Fondin Monetar Ndërkombëtar, z. Alfred Kammer; Shefin e ri të Misionit të FMN-së për Shqipërinë, z. Diego Cerdeiro; Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë pranë Bankës Botërore, z.Matteo Bugamelli dhe Zëvendëspresidenten e Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore, znj. Antonella Bassani.

Gjatë këtyre takimeve u diskutua mbi zhvillimet kryesore ekonomike dhe financiare të vendit tonë dhe pritshmëritë për të ardhmen, politikat që qeveria shqiptare po ndërmerr për ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe financiar, si dhe mbi bashkëpunimin mes qeverisë shqiptare dhe dy institucioneve financiare ndërkombëtare. Në mënyrë të veçantë u vu theksi në rëndësinë e vijimit të reformave që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm dhe integrimin europian të vendit.

Në këto takime u theksua se Shqipëria ka ndërtuar një rezistencë të lartë ekonomike përballë krizave të fundit globale dhe kjo është reflektuar në ruajtjen e rritjes ekonomike dhe stabilitetin e sektorit financiar. Politikat e kujdesshme ekonomike dhe menaxhimi i përmirësuar fiskal kanë ndikuar në forcimin e financave publike. Ndërkohë, vendi pritet të vijojë këtë trajektore pozitive, duke siguruar qëndrueshmëri në afatmesëm dhe afatgjatë.

Nga ana e tij, Ministri Malaj bëri një prezantim të treguesve kryesorë makroekonomikë dhe financiarë, duke theksuar se ekonomia shqiptare është rritur me 3.8 % gjatë vitit 2025 dhe parashikohet të rritet me 4 % në vitin 2026, në një kohë që papunësia ka zbritur në nivelin historik prej 8.3% në vitin 2025 dhe pagat mesatare janë rritur me 8.7%. Nga ana tjetër, investimet e huaja direkte kanë vijuar një ecuri pozitive, duke arritur në 1.63 miliardë euro në vitin 2025, me një rritje vjetore prej 3.4%.

Ministri vuri në dukje faktin se përmes vijimit të konsolidimit fiskal dhe menaxhimit të kujdesshëm të financave publike, borxhi publik ka vijuar trajektoren rënëse, duke arritur në 52.9% të PBB-së në fund të vitit 2025, nga 65% në vitin 2019. Ndërkohë, të ardhurat buxhetore shënuan një rritje vjetore prej 6.2%, duke arritur në rreth 754.6 miliardë lekë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›