Ministri Salla firmos projektin “TOKA”: Një epokë e re për bujqësinë dhe dijen
Bujqësia shqiptare hidhet drejt një modeli të ri zhvillimi, duke synuar standardet më të larta evropiane përmes shkencës dhe inovacionit.
Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, njoftoi nënshkrimin e një marrëveshjeje të rëndësishme bashkëpunimi në kuadër të projektit “TOKA”, një iniciativë që pritet të transformojë mënyrën se si bëhet bujqësi në rajonin juglindor të vendit.
Aleanca për zhvillimin rural
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Ministri Salla bëri me dije se marrëveshja është nënshkruar me aktorët kryesorë lokalë: Bashkitë Devoll, Ersekë, Maliq, Pogradec, Korçë, si dhe Universitetin e Korçës. Ky partneritet i gjerë synon të pilotojë një qasje të re për zhvillimin e zonave rurale, duke bërë bashkë politikëbërjen, administrimin lokal dhe botën akademike.
Partneriteti strategjik dhe modeli holandez
Projekti “TOKA” financohet nga Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe vjen në partneritet me një nga institucionet më prestigjioze në botë për shkencat bujqësore, Universitetin e Kërkimeve të Holandës, “Wageningen”.
Sipas ministrit Salla, thelbi i këtij projekti që do të pilotohet në Qarkun e Korçës, bazohet në “Modelin e Diamantit Holandez”.
Ky model i suksesshëm ndërkombëtarisht bazohet në katër shtylla kryesore: hartimin e rrugës së zhvillimit për eko-bujqësinë; ndërtimin e Sistemit të Njohurive dhe Informacionit në Bujqësi; forcimin e sigurisë ushqimore; rritjen e kapaciteteve në arsim dhe kërkim shkencor.
Ministri Salla e ka cilësuar këtë hap si vendimtar për modernizimin e sektorit.
“Ky bashkëpunim lidh institucionet, dijen, inovacionin dhe fermerët për një bujqësi moderne, konkurruese dhe të qëndrueshme, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian”, shkruan Salla në reagimin e tij.
/rtsh.al/