Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu: Lufta ndaj korrupsionit, provë kyçe e rrugës evropiane të Shqipërisë

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu deklaroi sot se Shqipëria do të përafrojë legjislacionin kundër korrupsionit me standardet e Bashkimit Evropian, ndërsa propozoi tri përparësi për forcimin e bashkëpunimit.
Gogu mori pjesë në sesionin “Dimensioni gjyqësor i luftës kundër korrupsionit”, në kuadër të Forumit Ministror BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme, që zhvillohet më 5-6 nëntor në Budva të Malit të Zi. Forumi organizohet çdo vit dhe këtë herë drejtohet nga Presidenca irlandeze e Këshillit të BE-së, me pjesëmarrjen e Komisionit Evropian.
Gogu kujtoi se në raportin e publikuar këtë javë, Komisioni Evropian konstatoi përparim të mirë të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit. Sipas tij, Komisioni vlerëson se SPAK vijon të tregojë pavarësi dhe të japë rezultate në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë.
Megjithatë, ministri theksoi se mbetet ende punë për t’u bërë, veçanërisht në drejtim të forcimit të masave parandaluese dhe nisjes më të hershme të hetimeve financiare. Sipas tij, sekuestrimi i pasurive kriminale duhet të pasohet nga konfiskimi i tyre, kur këtë e lejojnë ligji dhe provat.
përgjegjësi edhe ekzekutivin, detyra e të cilit është të përmirësojë kushtet në të cilat veprojnë institucionet e pavarura, përmes forcimit të kuadrit ligjor, sigurimit të burimeve të nevojshme dhe rritjes së kapaciteteve të administratës për të raportuar rastet e dyshuara të korrupsionit. Ai nënvizoi se vendimmarrja për çështjet konkrete u takon prokurorëve, të cilët veprojnë në mënyrë të pavarur.
“Qeveritë mund të propozojnë ligje, të sigurojnë burime dhe të forcojnë institucionet. Ajo që nuk duhet të bëjnë kurrë është të ushtrojnë presion. Pavarësia është kushti që e bën llogaridhënien të besueshme. Pas çdo vendimi korruptiv, dikush paguan çmimin. Një pacient pret më gjatë, një biznes humbet mundësinë për të konkurruar në kushte të barabarta, një qytetar kupton se rregullat vlejnë vetëm për të tjerët”, u shpreh Gogu.
Ministri bëri të ditur se Strategjia Kundër Korrupsionit 2024–2030 po trajton rreziqet në sektorët e prokurimit publik, shëndetësisë dhe tatimeve. Gjithashtu, sipas tij, janë avancuar reformat në fushën e sinjalizuesve, konfliktit të interesit, lobimit dhe financimit politik.
Gogu theksoi se Shqipëria mirëpret Direktivën (BE) 2026/1021 dhe, në cilësinë e vendit kandidat për anëtarësim në BE, do të përafrojë me të legjislacionin penal dhe kuadrin më të gjerë ligjor kundër korrupsionit.
Sa i përket bashkëpunimit rajonal, ministri propozoi tri përparësi kryesore.
Së pari, matjen e zbatimit të masave në praktikë, përmes treguesve të krahasueshëm, si koha e nevojshme për dhënien e ndihmës juridike të ndërsjellë dhe afati nga ngrirja e pasurive deri në konfiskimin e tyre. Sipas tij, një vlerësim i parë i përbashkët mund të paraqitet vitin e ardhshëm.
Së dyti, thellimin e bashkëpunimit operacional, duke reduktuar vonesat dhe duke respektuar plotësisht garancitë procedurale.
Së treti, investimin te burimet njerëzore, veçanërisht te gjyqtarët, prokurorët, hetuesit financiarë dhe administratorët e pasurive.
Në përfundim, Gogu nënvizoi se këto përparësi mbështeten te garantimi i pavarësisë së atyre që hetojnë dhe gjykojnë.