E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Jashtëm i Egjiptit: Të ruhet momenti pozitiv mes SHBA-së dhe Iranit

Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Badr Abdelatty, ka theksuar nevojën urgjente për të ruajtur momentin pozitiv të krijuar pas nënshkrimit të Memorandumin e Kuptimit (MoU) midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke e konsideruar këtë si hap thelbësor për konsolidimin e de-eskalimit midis dy palëve.

Në një deklaratë të bërë gjatë një takimi në Kajro, Abdelatty tha se “ruajtja e këtij momenti është thelbësore për të plotësuar kushtet e marrëveshjes së re dhe për të siguruar sigurinë dhe stabilitetin rajonal”.

Ai shtoi se zbatimi i plotë i kushteve të MoU-së do të ndihmojë në uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme, një rajon që prej kohësh është prekur nga konflikte dhe kriza të ndryshme.

Takimi u zhvillua me Komisioneren e Bashkimit Evropian për Mesdheun, Dubravka Suica.

Gjatë bisedimeve, dy zyrtarët diskutuan situatën aktuale gjeopolitike, me fokus të veçantë te roli që Egjipti dhe Bashkimi Evropian mund të luajnë në mbështetjen e përpjekjeve për paqe dhe stabilitet në rajon

Memorandumi midis Uashingtonit dhe Teheranit është parë si një hap i rëndësishëm diplomatik pas periudhave të tensionuara, sidomos pas zhvillimeve të fundit në çështjen bërthamore iraniane dhe tensioneve rajonale që përfshijnë konfliktin në Gaza, situatën në Liban dhe sigurinë e ngushticave detare. Egjipti, si një nga vendet kyçe arabe me ndikim të madh diplomatik, ka luajtur shpesh rol ndërmjetësues në çështje të tilla.

Ministri Abdelatty ka nënvizuar se suksesi i këtij memorandumi varet jo vetëm nga vullneti i palëve të drejtpërdrejta, por edhe nga mbështetja ndërkombëtare, duke përfshirë Bashkimin Evropian dhe vendet arabe.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›