E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi: Ngushëllime familjeve në Kosovë për tragjedinë në Shëngjin

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka shprehur sot hidhërim për ngjarjen tragjike të ndodhur në plazhin e “Ranës së Hedhun” në Shëngjin, ku dy të rinj nga Kosova humbën jetën pas mbytjes në det, ndërsa tre të tjerë po marrin trajtim mjekësor.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Ministri Nufi u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave, duke e cilësuar ngjarjen si një humbje të rëndë.

“I trishtuar për tragjedinë e rëndë sot në bregdetin e Shëngjinit. Ngushëllimet më të sinqerta familjeve e të afërmve të dy të rinjve nga Kosova që humbën jetën, si dhe shërim sa më të shpejtë të lënduarve që po marrin trajtim shëndetësor,” u shpreh Nufi.

Në mesazhin e tij, ministri vuri theksin te solidariteti në këto momente të vështira dhe shprehu mbështetjen për të lënduarit:

“Mendimet dhe lutjet e mia janë gjithashtu me të lënduarit, me shpresën që ta kapërcejnë sa më shpejt këtë situatë të rëndë.”

Nufi vlerësoi gjithashtu reagimin e shpejtë të të gjithë atyre që u angazhuan në operacionin e shpëtimit, duke përfshirë vullnetarët, strukturat e Policisë së Shtetit dhe ekipet e urgjencës mjekësore.

“Shpreh mirënjohjen për vullnetarët që ndërhynë menjëherë për t’u ardhur në ndihmë të rinjve, si dhe për strukturat e Policisë së Shtetit dhe ekipet e urgjencës mjekësore që vijuan operacionin e shpëtimit dhe ofruan asistencën e nevojshme,” theksoi ai.

Ministri e mbylli reagimin e tij duke siguruar familjet e prekura dhe qytetarët e Kosovës se në këto momente zie, të gjithë janë pranë tyre.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›