E Martë, 3 Nëntor 2026

Ministri i Mbrojtjes, Vengu: KFOR-i, garancia e vetme për sigurinë në Kosovë

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu është ndalur në Komandën Qendrore të KFOR-it si dhe në Komandën e Zonës Perëndimore në Pejë, ku takoi trupat shqiptare, që shërbejnë përkrah vendeve aleate dhe partnere të NATO-s.

Gjatë vizitës së tij në Kosovë, ministri i Mbrojtjes u prit nga komandanti i KFOR-it gjeneralmajor Özkan Ulutaş me të cilin ndanë shqetësimin rreth kontekstit të brishtë të sigurisë, kryesisht në veri të Kosovës, duke kujtuar sulmet kriminale dhe terroriste ndaj trupave të KFOR-it si edhe atë në Banjskë, vitin e kaluar.

“Shqipëria mbështet pa asnjë lëkundje KFOR-in si të vetmen garanci për një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë”, – u shpreh Vengu, duke falënderuar gjeneralmajor Ulutaş për vendosmërinë dhe maturinë në parandalimin e situatave kërcënuese.

Në bazën e KFOR në Pejë, delegacioni shqiptar u prit nga komandanti italian i bazës, koloneli Mundo, i cili e informoi zotin Vengu për kontributin e trupave shqiptare, duke theksuar se angazhimi dhe profesionalizmi i tyre vlerësohet nga të gjithë shtetasit e Kosovës dhe veçanërisht nga minoritetet.

Sipas Vengut, rritja e kontributeve të Shqipërisë në misionet e NATO-s, kërkon gjithashtu një vëmendje më të madhe ndaj përmirësimit të kushteve në mision të forcave tona dhe mbështetje të vazhdueshme për familjet e tyre.

Kontingjenti shqiptar në misionin e KFOR është rritur së fundmi dhe përbëhet nga 107 efektivë ne Komandën Rajonale Perëndimore në Pejë dhe 25 përfaqësues civilë dhe ushtarakë në Shtabin e KFOR në Film City, Prishtinë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›