E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Mjedisit Jaupaj: Deri në 2030 të gjitha zonat e mbrojtura me plan menaxhimi

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, gjatë takimit për zhvillimin e biosferës, deklaroi se ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura kanë dorëzuar dosjen e aplikimit për përfshirjen në UNESCO të liqenit të Shkodrës.

Në aktivitetin “Për Ty Natyrë”, ku u diskutua mbi prioritetet e mjedisit dhe pyjeve në kuadër të rrugëtimit drejt Bashkimit Europian, Jaupaj theksoi se liqeni i Shkodrës është një tjetër pasuri natyrore e Shqipërisë që pritet t’i bashkohet pasurive botërore të UNESCO-s, duke shprehur mirënjohjen ndaj Unionit Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me UNESCO për rezultatet e arritura.

Ai tha se këto rezultate motivojnë institucionet të bëjnë më shumë për qytetarët dhe integrimin europian, duke nënvizuar se deri në vitin 2030 synohet që 100% e zonave të mbrojtura të kenë planet e tyre të menaxhimit, të finalizohet rrjeti Natyra 2000 si kriter i qartë i nënkapitullit të natyrës me BE-në dhe që zonat e mbrojtura të shndërrohen në qendra të zhvillimit lokal, turizmit dhe inovacionit natyror.

Jaupaj e cilësoi mbrojtjen dhe restaurimin e natyrës si një nga shtyllat më të qarta të mandatit qeverisës, duke e lidhur drejtpërdrejt me rrugëtimin drejt BE-së.

 Ai theksoi se nuk bëhet më fjalë për një model administrimi teknik, por për një politikë afatgjatë ku natyra shihet si bazë e zhvillimit ekonomik e social të vendit.

Ministri bëri të ditur nisjen e një strategjie për pyjet, që sipas tij vjen si harmonizim i shkencës, restaurimit ekologjik, digjitalizimit dhe pyllëzimit inovativ.

Në buxhetin e vitit 2026 është parashikuar një program të veçantë për pyllëzimet me dron, që do të zhvillohen fillimisht në Parkun Kombëtar të Dajtit, në bredhin e Hotovës në Përmet dhe në Parkun Kombëtar Lurë-Dejë, duke garantuar rigjenerim më të shpejtë dhe të saktë.

“Në buxhetin e Ministrisë së Mjedisit për 2026 kemi një zë të veçantë për programin e pyllëzimeve me dron, të cilat do të zhvillohen si fillim në Parkun Kombëtar të Dajtit, në bredhin e Hotovës në Përmet, Parkun Kombëtar Lurë-Dejë, duke garantuar rigjenerim të saktë dhe më të shpejtë”, informoi Jaupaj.

Ministri e përkufizoi zonat e mbrojtura, pyjet, ujërat dhe biodiversitetin si identitetin ekologjik të Shqipërisë dhe aset kombëtar.

Pas dhjetë vitesh nga krijimi i AKZM dhe moratoriumit të pyjeve që riktheu qetësinë në mbi 1 milionë hektarë, ai tha se ka ardhur momenti për një model të ri që i përgjigjet sfidave dhe ambicieve të kohës.

““Me punë gjatë këtyre viteve kemi treguar që zonat e mbrojtura mund të jenë katalizator të zhvillimit lokal dhe përfitues janë komunitetet që jetojnë në këto zona. Parku Kombëtar i Vjosës është një shembull i jashtëzakonshëm, pasi është pjesë e pasurisë botërore të UNESCO-s”, tha Jaupaj.

Jaupaj propozoi bashkimin e Agjencisë Kombëtare të Pyjeve me AKZM, duke krijuar një strukturë të vetme me standarde të unifikuara dhe zinxhir të qartë përgjegjësish, që do të sigurojë menaxhim unik për pyjet dhe zonat e mbrojtura, vendimmarrje të bazuar në të dhëna shkencore, monitorim të biodiversitetit dhe kontroll të qartë të territorit.

Ai solli shembullin e Parkut Kombëtar të Vjosës, tashmë pjesë e pasurisë botërore të UNESCO-s, si dëshmi se zonat e mbrojtura mund të jenë katalizator të zhvillimit lokal dhe përfituesit kryesorë janë komunitetet që jetojnë aty.

Jaupaj foli edhe për sfidën e menaxhimit të rreziqeve natyrore, duke përmendur verën e kaluar kur pyjet u treguan vulnerabël ndaj kushteve ekstreme të të nxehtit për shkak të ndryshimeve klimatike dhe faktorëve të tjerë.

“Por ky vizion nuk ka kuptim pa njerëzit, pa të rinjtë. Për këtë arsye po nisim edhe një program të ri, një nismë kombëtare të quajtur “Natyra për të Gjithë”, si një thirrje për edukim mjedisor, vullnetarizëm dhe rol aktiv të të rinjve në mbrojtjen e natyrës. Zonat e mbrojtura mund të jenë atelietë e të rinjve, habitatet e biologëve, strehat e udhërrëfyesve ekoturistikë që falë platformës së shtigjeve e kanë tashmë punën edhe më të thjeshtë, dhe sigurisht mikpritëse të komuniteteve lokale”, theksoi Jaupaj duke shtuar se natyra që ruajmë përmes vizionit sot është trashëgimia që do të flasë për ne nesër.

Ai njoftoi bashkëpunimin me Agjencinë e Emergjencave Civile dhe partnerë të tjerë për krijimin e një sistemi të ri paralajmërimi të hershëm për zjarret, bazuar në sensorë, analiza satelitore dhe modele klimatike, që do të mundësojë reagim të shpejtë dhe të koordinuar.

Në fund, ministri theksoi se ky vizion nuk ka kuptim pa njerëzit dhe pa të rinjtë, duke shpallur nisjen e programit kombëtar “Natyra për të Gjithë”, një nismë për edukim mjedisor, vullnetarizëm dhe rol aktiv të të rinjve në mbrojtjen e natyrës. Ai tha se zonat e mbrojtura mund të shndërrohen në atelietë të të rinjve, habitatet e biologëve, strehat e udhërrëfyesve ekoturistikë dhe mikpritëse të komuniteteve lokale, duke e përmbyllur me mesazhin se natyra që ruhet sot është trashëgimia që do të flasë për Shqipërinë nesër.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›