Ministria e Drejtësisë diskuton draftin e Kodit Penal: Në fokus mbrojtja e fëmijëve dhe familjes

Ministria e Drejtësisë ka zhvilluar sot tryezën e 24-të konsultative për draftin e Kodit të ri Penal, me pjesëmarrjen e ministrit Besfort Lamallari dhe zv/ministres së Shëndetësisë Eugena Tomini.
Diskutimet u përqendruan tek mbrojtja e fëmijëve, familjes dhe martesës, si elemente thelbësore për një shoqëri që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.
Në këtë kuadër, u theksua se familja duhet të mbetet një hapësirë sigurie dhe mbrojtjeje, ndërsa dhuna apo shkelja e të drejtave të fëmijëve nuk mund të tolerohet.
Pjesëmarrësit analizuan mënyrat se si këto parime mund të pasqyrohen në dispozitat e reja të Kodit Penal, duke u mbështetur në përvoja dhe praktika më të mira, në një proces gjithëpërfshirës e transparent që synon harmonizimin me standardet europiane të të drejtave të njeriut.
Për draftin e Kodit të ri Penal janë parashikuar gjithsej 25 tryeza konsultimi publik. Drafti i parë u prezantua më 25 korrik, pas një pune disavjeçare të një grupi ekspertësh të udhëhequr nga drejtori i Shkollës së Magjistraturës, prof. Arben Rakipi.
Ministria e Drejtësisë e ka hedhur draftin për konsultim me aktorët e sistemit të drejtësisë, partnerët ndërkombëtarë, universitetet, shoqërinë civile, mediet dhe qeverinë, si pjesë e angazhimeve për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe si një domosdoshmëri për forcimin e Shtetit të së Drejtës.
/rtsh.al/