Ibrahimaj: Ekonomia shqiptare rritet me 3.75%. Turizmi, motori kryesor i rritjes ekonomike në vitin 2025

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ndau sot me publikun treguesit më të fundit të zhvillimeve ekonomike të vitit 2025, si edhe pritshmëritë për vitin 2026, duke vënë theksin tek nxitja e inovacionit dhe përafrimi me standardet europiane.
Gjatë konferencës për mediat, ajo vlerësoi se ekonomia shqiptare ka vijuar rritjen e qëndrueshme, duke reflektuar performancë pozitive në shumicën e sektorëve kryesorë dhe një interes të shtuar të investitorëve vendas e të huaj.
Ajo u ndal fillimisht tek të dhënat e INSTAT për Prodhimin e Brendshëm Bruto, ku tha se ,“Sikurse jeni bërë me dije, INSTAT ka publikuar të dhënat e fundit për Prodhimin e Brendshëm Bruto, i cili në tremujorin e tretë të vitit rezultoi në nivelin 3.75% mbi tremujorin e tretë të vitit 2024. Kjo rritje është brenda pritshmërive të qeverisë dhe është ndjeshëm më e lartë se mesatarja e BE-së, e cila ishte 1.6%, dhe më e lartë se mesatarja për vendet e rajonit, ku rritja ishte 3.4%.”
Duke folur për sektorët që kanë kontribuar në këtë rritje, ministrja theksoi se administrata publike dhe taksat neto mbi produktet kanë sjellë efektin më të madh, ndërsa pasuritë e paluajtshme, ndërtimi dhe tregtia kanë dhënë gjithashtu kontribut të ndjeshëm.
Në nivel nëntëmujor, rritja ekonomike arriti 3,73%, ndërsa pritshmëritë janë që deri në fund të vitit 2025 të përmbushet objektivi prej 3,9%. Ministrja theksoi se administrata publike dhe taksat neto mbi produktet kanë sjellë rritjen më të madhe të ekonomisë, ndërsa sektorët e tjerë që kanë mbështetur rritjen janë pasuritë e paluajtshme, tregtia, akomodimi dhe ndërtimi. Nga ana tjetër, bujqësia dhe industria vijojnë të jenë në terren negativ.
Ajo shtoi se “Analiza sipas sektorëve tregon se ekonomia është mbështetur kryesisht nga shërbimet dhe investimet publike e private. Ndërtimi shënoi një rritje prej 4,75%, ndërsa tregtia, transporti dhe akomodimi, sektorë të lidhur ngushtë me turizmin, u rritën me 2,62%. Sektori i informacionit dhe komunikacionit vijoi të forcojë rolin e tij në ekonomi, me një rritje të ndjeshme prej 10,4%, ndërsa aktivitetet e pasurive të paluajtshme u rritën me 10,55%.”
Në vijim, Ibrahimaj e cilësoi turizmin si motorin kryesor të ekonomisë shqiptare, duke nënvizuar se “Një kontribut të rëndësishëm dhanë edhe administrata publike, arsimi dhe shëndetësia, të cilat së bashku kontribuuan me 1,68 pikë përqindje në rritjen ekonomike prej 3,75%, duke reflektuar efektet pozitive të investimeve dhe rritjes së pagave në këta sektorë. Ndërkohë, bujqësia shënoi një rënie prej 1,73%, ndërsa industria u ngadalësua me 4,75%, e ndikuar kryesisht nga industria nxjerrëse dhe ajo përpunuese e tekstileve.
Ministrja foli edhe për investimet, duke theksuar se besimi i investitorëve është i qëndrueshëm “Turizmi vijon të mbetet një nga motorët kryesorë të ekonomisë shqiptare. Për 11-mujorin e vitit 2025, hyrjet e shtetasve të huaj arritën në rreth 12 milionë, me rritje të vazhdueshme krahasuar me vitet e mëparshme. Netqëndrimet u rritën nga viti në vit, ndërsa një turist që viziton Shqipërinë qëndron mesatarisht 9 ditë.”
“Akomodimi, hotelet dhe restorantet shënuan rritje prej 16% në terma nominalë dhe 3,43% në terma realë. Në nivel nëntëmujor, shërbimet sollën në ekonomi 6,5 miliardë euro, me rritje 14%, ndërsa shërbimet e udhëtimit gjeneruan 4,4 miliardë euro të ardhura”.
“Konsumi i familjeve u rrit me 1,25%, duke reflektuar stabilitet dhe inflacion të kontrolluar, nën objektivin e Bankës së Shqipërisë. Importet neto dhe eksportet neto janë rritur respektivisht eksportet me 12,55%, ndërsa importet me 5,47%. Kjo ka sjellë një sufiçit prej 658 milionë euro në tremujorin e tretë dhe rreth 50 milionë euro në nivel nëntëmujor – një rezultat pozitiv që ndodh për herë të parë.”
Megjithatë, sa i takon tregtisë së mallrave, defiçiti është ndikuar nga rritja e importeve të energjisë dhe rënia e eksporteve të metaleve bazë. Ministrja nënvizoi se eksportet e shërbimeve kanë dhënë kontributin kryesor në pozicionin e jashtëm të ekonomisë shqiptare.
“Investimet shënuan rritje prej 4,78% në tremujorin e tretë, duke treguar besim të qëndrueshëm në ekonominë shqiptare. Investimet e huaja direkte për nëntëmujorin e vitit 2025 arritën në 1,2 miliardë euro, me rritje prej 51 milionë euro krahasuar me një vit më parë. Sektorët kryesorë përfituese janë pasuritë e paluajtshme me 31%, ndërmjetësimi financiar me 16%, hidrokarburet, energjetika dhe komunikacioni.”
Në tregun e punës, papunësia zbriti në 8,1%, ndërsa paga bruto mesatare arriti në 83,300 lekë, me rritje 7,25% krahasuar me vitin 2024.
Sa i takon tregut të punës, Ibrahimaj bëri të ditur se “Të dhënat flasin për një ekonomi të qëndrueshme, me tregues makroekonomikë të fortë dhe perspektivë pozitive edhe për vitin 2026. Raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar nënvizon një rritje ekonomike të qëndrueshme të ekonomisë shqiptare dhe tregues makroekonomikë të fortë. Si risk kryesor për ekonominë jo vetëm shqiptare, por të rajonit, theksohet paqëndrueshmëria e situatës globale dhe risqet që mund të vijnë nga kërkesa e huaj, të cilat për tremujorin e tretë të vitit nuk janë materializuar.”
/rtsh.al/