E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Mbrojtjes: 23 vatra zjarri në vend, 13 aktive, vijojnë operacionet nga toka dhe ajri

TIRANË, 15 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informoi se deri në orën 17:00 në territorin e vendit janë regjistruar 23 vatra zjarri, nga të cilat 13 mbeten aktive dhe 2 janë nën monitorim.

Në operacionet e ditës janë angazhuar 317 forca operacionale dhe 32 automjete zjarrfikëse, ndërsa në mbështetje janë vendosur 120 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 mjete zjarrfikëse, 2 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor” të Forcës Ajrore.

Në Malin e Dajtit, Tiranë, vijon operacioni në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës, me mbështetjen e 50 efektivëve të FA-së dhe dy helikopterëve. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim.

Një nga operacionet kryesore vijon në Gurë-Lurë, Dibër, ku janë hapur korridore me fadroma për të ndaluar avancimin e flakëve drejt banesave. Në terren janë angazhuar 150 forca bashkiake, 20 forca policore, 11 efektivë të ADZM-së, 15 të MZSH-së dhe 50 efektivë të FA-së, të mbështetur nga dy avionë “Air Tractor”. Sipërfaqja e djegur përllogaritet në rreth 200 hektarë pyll pishe, ndërsa aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat.

Në Qafë Helmes, Dibër/Bulqizë, zjarri është fikur nga krahu i fshatit Bulqizë, ndërsa vijon të jetë aktiv në drejtim të Selishtës. Në terren ndodhen 11 efektivë të MZSH-së, 27 forca bashkiake dhe 20 efektivë të FA-së. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Abaze të Krujës, vatra mbetet aktive me intensitet të ulët dhe pa rrezik për banesat, ndërsa vatra në Zidoll është nën monitorim. Në Lufaj të Mirditës vijon puna për shuarjen dhe hapjen e korridoreve ndarëse.

Në Fushë-Lajë të Pukës, zjarri vijon në terren të thyer, duke vështirësuar ndërhyrjen, por pa rrezik për zonat e banuara.

Në Gjirokastër, aktive janë vatrat në Sotirë, Dropull, Bregu i Lejlekut, Libohovë dhe Krahës, Memaliaj. Strukturat e MZSH-së vijojnë ndërhyrjen në terren dhe nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Vlorë, vatrat aktive janë në Gjormë, Aliban dhe Mesaplik. Vatra në Gjormë është vënë nën kontroll, ndërsa në Aliban dhe Mesaplik vijojnë ndërhyrjet për shuarjen e zjarrit. Edhe në këto zona nuk raportohet rrezik për banesat.

Në Dardhë të Librazhdit, vijon puna e MZSH-së, shërbimit pyjor dhe forcave bashkiake për izolimin dhe shuarjen e zjarrit.

Situata po menaxhohet përmes një angazhimi të koordinuar nga toka dhe ajri, ndërsa në pjesën më të madhe të vatrave aktive nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC), përmes Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, vijon ndjekjen dhe koordinimin e situatës në të gjithë territorin.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›