E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Shëndetësisë miraton për herë të parë udhëzuesin për terapinë hormonale për personat transgjinorë

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në bashkëpunim me Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), ka miratuar për herë të parë një protokoll zyrtar për trajtimin hormonal të personave transgjinorë në sistemin publik shëndetësor shqiptar.

Urdhri është firmosur nga zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, dhe parashikon ofrimin e shërbimit të konsultave në QSUT.

Dokumenti ka si qëllim orientimin e profesionistëve të shëndetësisë në procesin e rekomandimit të terapisë hormonale për individët që referohen për këtë shërbim dhe nuk rekomandon nisjen e trajtimit në fëmijëri.  

Në urdhër përcaktohet se udhëzuesi për terapinë hormonale mund të nisë nga mosha 16 vjeç, pas vlerësimit nga specialistët dhe me miratim familjar.

“Miratimin e Udhëzuesit të Praktikës Klinike ‘Për trajtimin hormonal të personave transgjinorë’ dhe Fletën e Pëlqimit të Informuar, sipas tekstit bashkëlidhur. Ngarkohen mjekët dhe personeli shëndetësor i shërbimit të Endokrinologjisë në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ për pajisjen, njohjen dhe zbatimin e këtij udhëzuesi”, thuhet në udhëzues.

Udhëzuesi mbështetet në standardet dhe rekomandimet e shoqatave ndërkombëtare, përfshirë Shoqatën Endokrine, Shoqatën Amerikane të Endokrinologjisë Klinike (AACE) dhe Shoqatën Botërore Profesionale për Shëndetin Transgjinor (WPATH).

/rtsh.al/  

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›