Ministria e Shëndetësisë propozon pr.ligjin e ri për familjet kujdestare, për mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve në nevojë

Për herë të parë hartohet një projektligj për familjet kujdestare, një hap që garanton se asnjë fëmijë nuk mbetet pa kujdes.
Ky projektligj, i propozuar nga MSHMS mbron të drejtat e fëmijëve pa kujdes prindëror ose në rrezik për ta humbur atë, duke i vendosur ata në një mjedis familjar të sigurt, mbështetës dhe gjithëpërfshirës — gjithmonë në përputhje me parimin e interesit më të lartë të fëmijës.
Kategoritë që përfitojnë:
a) Fëmijë pa kujdes prindëror, kur asnjë nga prindërit nuk është i pranishëm ose nuk është në gjendje të ofrojë kujdes të përshtatshëm, përfshirë rastet kur njëri prind është fizikisht i munguar dhe tjetri është në pamundësi për të ushtruar përgjegjësinë prindërore;
b) Fëmijë të braktisur;
c) Fëmijë me të dy prindërit e vendosur në institucionet e dënimit penal nën masën e heqjes së lirisë, të cilët nuk kanë kujdestar ligjor dhe mbeten pa kujdesin e përshtatshëm familjar;
d) Fëmijë të prindërve me aftësi të kufizuara të rënda mendore ose fizike, të cilët, pavarësisht mbështetjes sociale, nuk janë në gjendje të ofrojnë kujdes të përshtatshëm;
e) Fëmijë në nevojë për mbrojtje, përfshirë ato që përballen me dhunë, abuzim, trafikim, neglizhim, shfrytëzim, apo në rrethana të verifikuara që përbëjnë rrezik serioz për jetën, sigurinë apo zhvillimin e tyre;
f) Fëmijë shqiptar, pa shtetësi apo me shtetësi të huaj të identifikuar në territorin e Republikës së Shqipërisë, fëmijë të pashoqëruar, të ndarë nga të dy prindërit ose të afërmit e tjerë të familjes dhe për të cilin nuk kujdeset ndonjë person madhor;
g) Fëmijë me aftësi të kufizuara, për të cilët prindërit nuk janë në gjendje të ofrojnë kujdes, përkohësisht ose në mënyrë të përhershme, për shkak të kushteve të vështira social-ekonomike, problemeve të rënda të shëndetit mendor ose faktorëve të ngjashëm;
h) Fëmijë të ndarë nga familjet e tyre për shkak të konflikteve të armatosura, emergjencave humanitare, kërkesave për azil, emigrimit të detyruar ose fatkeqësive natyrore;
i) Fëmijë për të cilët është hequr e drejta prindërore me vendim gjykate dhe nuk kanë asnjë person tjetër të ngarkuar me përgjegjësinë ligjore për t’u përkujdesur për ta;
j) Fëmijë të lindur nga nëna të mitura në pamundësi për të ushtruar përgjegjësinë prindërore, në rastet kur mungon rrjeti mbështetës në familje.
Familja kujdestare merr përgjegjësinë për të strehuar dhe për t’u përkujdesur për një ose më shumë fëmijë pa kujdes prindëror, me qëllim ofrimin e një mjedisi familjar, kushte për mirërritje, përmbushje të nevojave dhe mbështetje emocionale, në përputhje me dispozitat e këtij ligji;
Kriteret e familjes kujdestare
a) janë në moshë madhore, dhe gëzojnë aftësi të plotë për të vepruar;
b) kanë shtetësi shqiptare ose leje të rregullt qëndrimi në Republikën e Shqipërisë.
c) kanë vendbanim të përhershëm dhe jetojnë në Republikën e Shqipërisë;
d) nuk janë në moshën e pensionit, sipas legjislacionit në fuqi në vend, me përjashtim të rasteve të kujdesit alternativ vullnetar në familje nga të afërm;
e) kanë kushte të përshtatshme banimi, sigurojnë mjete të mjaftueshme të jetesës;
f) nuk janë të dënuar për një vepër penale;
g) nuk rezultojnë të jenë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale sipas ligjit për Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale në fuqi;
h) ofrojnë mjedis të përshtatshëm e të qëndrueshëm familjar;
i) janë në gjendje shëndetësore fizike ose mendore që nuk rrezikon shëndetin, mirëqenien ose zhvillimin e fëmijës;
j) nuk janë përjashtuar më parë nga ofrimi i kujdesit alternativ në familje;
k) kanë pëlqimin me shkrim të të gjithë anëtarëve të rritur të familjes së përbashkët për të kryer kujdestarinë;
l) kanë përfunduar trajnimin e detyrueshëm të miratuara nga autoriteti përgjegjës për sigurimin e cilësisë së shërbimit, sipas përcaktimeve të këtij
Familja kujdestare ka për detyrë të:
a) sigurojë mjedis të sigurt, të shëndetshëm dhe përfshirës për zhvillimin e fëmijës;
b) respektojë të drejtat e fëmijës dhe të promovojë pjesëmarrjen e tij në vendimmarrje;
c) ndjekë procesin e bashkëpunimit me strukturat shtetërore dhe raportojë rregullisht për ecurinë e fëmijës;
ç) garantojë ruajtjen e marrëdhënieve të fëmijës së vendosur në kujdes alternativ me familjen biologjike/e mëparshme;
d) pranojë monitorimin, vlerësimin dhe inspektimin nga autoritetet përgjegjëse;
e) njoftojë menjëherë njësinë e vlerësimit të nevojave dhe referimit dhe njësinë/punonjësin e mbrojtjes së fëmijës për çdo situatë që cenon mirëqenien e fëmijës.
/rtsh.al/