E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratimi i “Paqes Fiskale”, Berisha: Mazhoranca nuk mori parasysh kundërshtitë e ndërkombëtarëve

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një komunikimi me mediat, kritikoi qeverinë për miratimin e amnistisë fiskale. Ai deklaroi se ndërkombëtarët, përfshirë Komisionin Europian dhe administratën e SHBA-së, janë shprehur kundër kësaj mase, por sipas tij, Edi Rama nuk ka marrë parasysh këto reagime.

“Edi Rama kaloi amnistinë fiskale, për të cilën ndërkombëtarët ishin kundër unison. Brenda një jave Komisioni Europian ka reaguar dy herë për këtë amnisti, kundër. Po ashtu ka reaguar dhe administrata e SHBA. Por Edi Rama nuk pyet, sepse ka zëvendësuar standardet me lobim korruptiv,” tha Berisha.

Ai komentoi gjithashtu zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, Klodjan Braho, duke theksuar se procedurat kushtetuese u respektuan.

“Dje u zbatua Kushtetuta. Nuk u zgjodh si i pari me 5 vota që ishte jashtë kushtetuese e nuk mund të qëndronte asnjë ditë në detyrë. Aty ishte një zonjë që tregon se ajo trupë e KLP është mizogjenike, nuk i dhanë asnjë votë,” deklaroi Berisha.

Pas një seance maratonë, Kuvendi ka miratuar me 75 vota pro projektligjin “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale”, një nismë që shkaktoi debate të forta dhe tensione mes mazhorancës dhe opozitës. Përveç këtij projektligji, u miratua edhe një paketë e gjerë ndryshimesh në ligjet tatimore dhe fiskale.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›