E Diel, 1 Nëntor 2026

PD paralajmëron veprime ligjore për verifikimin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar ndaj procesit të votimit për Avokatin e Popullit, duke akuzuar Kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshin, për falsifikim të akteve parlamentare dhe shpërdorim detyre.

Sipas Bardhit, Kuvendit iu paraqit për votim një kandidat i rrejshëm, pa mbështetjen me firmë të vlefshme të asnjë deputeti, ndërkohë që ligji kërkon të paktën 28 firma për hedhjen në votim.

Ai deklaroi se Kryetari i Kuvendit ka tejkaluar çdo limit, duke përdorur pa vullnetin e tyre nënshkrimet e deputetëve që ishin tërhequr nga propozimi.

Për këtë arsye, Bardhi njoftoi se ka autorizuar ekipin ligjor të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për të përgatitur kallëzim penal ndaj Kryetarit të Kuvendit dhe çdo personi tjetër të përfshirë në këtë akt, për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh parlamentare”.

Ai paralajmëroi gjithashtu se do të kërkojë nga grupi parlamentar autorizimin për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, me qëllim verifikimin e ligjshmërisë së zgjedhjes së Avokatit të Popullit.

Bardhi theksoi se Partia Demokratike mbetet e vendosur që zgjedhja e organeve kushtetuese duhet të bëhet përmes një procedure transparente dhe gjithëpërfshirëse, që garanton pavarësinë e institucioneve, siç nënvizon edhe Raporti i Progresit i Komisionit Europian. Sipas tij, përndryshe Shqipëria rrezikon të kthehet zyrtarisht në një parti-shtet.

Reagimi i plotë:

Nëpërmjet falsifikimit të akteve parlamentare, Niko Peleshi i paraqiti dje Kuvendit të Shqipërisë për votim si kandidat të rrejshëm për Avokat të Popullit një njeri që nuk kishte mbështetjen me firmë të vlefshme të asnjë deputeti të vetëm, jo më të 28 deputetëve siç ligji kërkon për hedhjen në votim.

Pikërisht duke shpërdoruar detyrën, Kryetari i Kuvendit përmbushi ambicien e sëmurë të Edi Ramës për të kapur çdo pushtet, përfshirë institucionin e fundit kushtetues që nuk ishte nën kontrollin e qeverisë.

Mirëpo këtë herë Kryetari i Kuvendit ka tejkaluat çdo limit, duke keqpërdorur firmat e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë që ishin tërhequr nga propozimi i projektvendimit përkatës. Askush nuk mund të përdor jashtë vullnetit të tyre nënshkrimet/propozimet e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Prandaj sot, kam autorizuar menjëherë ekipin ligjor të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike që të përgatisë kallëzim penal për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim të dokumenteve” parlamentare në bashkëpunim për Kryetarin e Kuvendit Niko Peleshin, dhe çdokënd tjetër që ka rol në këtë akt të paprecedent të Kuvendit. Ndërkohë që do të kërkoj nga grupi parlamentar autorizimin përkatës për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të verifikuar zgjedhjen e Avokatit të Popullit përmes një procedure parlamentare tërësisht të paligjshme.

Grupi Parlamentar i PD ka qenë dhe mbetet i vendosur që zgjedhja e organeve kushtetuese duhet të bëhet sipas një procedure transparente, gjithëpërfshirëse dhe që garanton pavarësinë e këtyre institucioneve, sikurse Raport Progresi i Komisionit Europian nënvizon. Vetëm kështu Shqipëria është në rrugën e duhur drejt Bashkimit Europian. Përndryshe provohet se kemi kaluar edhe zyrtarisht në një parti-shtet!

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›