Miratohet buxheti 2026 për Shkodrën, investime publike për përmirësimin e jetës së qytetarëve

Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka zhvilluar mbledhjen e fundit dhe më të rëndësishmen për këtë vit, ku është miratuar Buxheti i Bashkisë për vitin 2026 si dhe Programi Buxhetor Afatmesëm për periudhën 2026–2028. Në fjalën e tij, kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, u ndal fillimisht tek investimet e përfunduara gjatë vitit 2025, si dhe tek projektet për të cilat vijon puna.
“Vlera totale e buxhetit nga 2025 në 2026 është në vlerë rritje prej 15%. Rritja e këtyre të ardhurave është përkthyer në investime. Ku këto investime në Bashkinë Shkodër kanë një rritje rekord prej 80%. Për herë të parë kemi fonde për të ndërtuar banesa sociale me fondet tona dhe ku janë rreth 160 milion lekë për ndërtimin e këtyre banesave.”- deklaroi Beci.
Beci vuri në dukje se investimet janë reflektuar edhe në ekonomi, veçanërisht në sektorin e turizmit, i cili ka shënuar rritje të dukshme. Përsa i takon buxhetit 2026, kryebashkiaku Beci vuri në dukje se ka një rritje në krahasim me vitin e kaluar, ndërkohë që theksoi se prioritet do të vijojnë të jenë investimet publike në çdo sektor.
Si risi të këtij buxheti, Beci nënvizoi faktin se për herë të parë parashikohet ndërtimi i banesave sociale me fondet e Bashkisë Shkodër.
Kryebashkiaku Beci renditi një sërë investimesh strategjike në qytet dhe në zonat turistike, që janë në proces apo do të fillojnë të implementohen, projekte që do të ndikojnë ndjeshëm në zhvillimin e Shkodrës dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Pavarësisht debateve, në këtë mbledhje u miratuan edhe projektvendimet me fokus mbështetjen sociale si fondi për ndihmën ekonomike, bursat për nxënësit e shkollave të mesme si dhe taksat e tarifat vendore.
Gazetar: Virtyt Omari
/rtsh.al/