E Martë, 3 Nëntor 2026

Miratohet krijimi i shoqërisë për prodhimin dhe tregtimin e uniformave ushtarake

TIRANË, 28 maj/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për miratimin e kushteve të negociimit të shoqërisë shtetërore “Kayo”, sh.a., me shoqëri private për prodhimin dhe tregtimin e uniformave ushtarake dhe aksesorëve.

Sipas vendimit, shoqëria “KAYO”, sh.a., do të negociojë dhe do të pranojë një pjesëmarrje jo më të ulët se 40 % të aksioneve në shoqërinë e përbashkët, që do të krijojë me shoqëri private.

Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të kontribuojë në entitetin e ri tregtar me pasuri të paluajtshme, në masën jo më pak se 20 000 (njëzet mijë) m², që do t’i jepen në përdorim shoqërisë së përbashkët në një nga format e parashikuara nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, pa të drejtë tjetërsimi.

Shoqëria shtetërore “KAYO”, sh.a., gjatë procesit të negociimit, në çdo rast, siguron nga subjekti me të cilin negocion, të paktën: një vlerë investimi jo më pak se 15 milionë euro në periudhën kohore të 3 vjetëve; punësimin e jo më pak se 400 punonjësve në periudhën kohore të 3  vjetëve; ofrimin e linjave teknologjike të prodhimit të uniformave dhe aksesorëve të tjerë, sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe strukturave të tjera të sigurisë dhe  sigurimin e rrjetit të shpërndarjes së produkteve në rast eksporti.

Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se, përpos parashikimeve të tjera, objekti i aktivitetit të shoqërisë tregtare, që do të krijohet, do të përmbajë prodhimin dhe tregtimin e uniformave ushtarake dhe aksesorëve për Forcat e Armatosura, si edhe uniformat e aksesorët për përdorim nga strukturat e tjera të sigurisë.

Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër gjatë negociatave se administratori/ët e shoqërisë, që do të krijohet nga dy shoqëritë e sipërpërmendura, zgjidhet/n me dakordërsinë e shoqërisë “KAYO”, sh.a.

Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër gjatë negociatave se të paktën 30 % e përbërjes së këshillit drejtues ose këshillit mbikëqyrës të shoqërisë, që do të krijohet, në rast se forma e shoqërisë parashikon këto organe drejtuese/mbikëqyrëse, do të emërohen nga shoqëria “KAYO”, sh.a.

Statuti i shoqërisë, që do të krijohet, përmban dispozitat mbi të drejtën e vetos, që gëzon shoqëria “KAYO”, sh.a., në bazë të ligjit “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.

Siguria fizike e personelit dhe infrastrukturës do të sigurohet nga Forcat e Armatosura, sipas akteve nënligjore, të nxjerra nga autoritetet kompetente, sipas ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

Autorizohen shoqëria “KAYO”, sh.a., dhe shoqëria private me të cilën do të bashkëpunojë të furnizojnë Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë me uniforma ushtarake dhe aksesorët përkatës nëpërmjet shoqërisë që do të krijohet, në përputhje me këtë vendim.

Ngarkohet shoqëria shtetërore “KAYO”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe  botohet në “Fletoren zyrtare”.

/k.s/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›