Përcaktohen rregullat për administrimin e fondit të veçantë të buxhetit të Policisë së Shtetit

TIRANË, 28 maj /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendim që ka si objekt përcaktimin e rregullave e të kritereve për administrimin e fondit të veçantë të buxhetit të Policisë së Shtetit nga drejtuesi i njësisë shpenzuese.
Sipas këtij vendimi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ndan fondin e veçantë, i cili është në maksimum sa 1% e buxhetit vjetor të Policisë së Shtetit, sipas nevojave që kanë strukturat qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit.
Policia e Shtetit përdor fondin e veçantë duke dhënë pagesat pas realizimit të veprimit policor konkret dhe marrjes së rezultatit ose në bazë të një planifikimi paraprak për realizimin e aktiviteteve policore ku parashikohen shpenzime operacionale.
Ndalohet dhënia e shpërblimeve më shumë se një herë, të njëjtit burim, për të njëjtin rezultat konkret.
Sipas këtij vendimi, shefi i Komisariatit të Policisë autorizon përdorimin deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë ose vlerën ekuivalente në valutë. Zëvendësdrejtori për Hetimin e Krimeve/për Sigurinë Publike, në Drejtorinë Vendore të Policisë, autorizon përdorimin deri në 200 000 (dyqind mijë) lekë ose vlerën ekuivalente në valutë. Drejtori i strukturës vendore të policisë/drejtuesi i sektorit për hetimin e krimeve në drejtorinë qendrore dhe drejtuesi i sektorit dhe zëvendësdrejtor në Drejtorinë e Antiterrorit autorizojnë përdorimin deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë ose vlerën ekuivalente në valutë. Drejtori i Strukturës Qendrore për Hetimin e Krimeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, autorizon përdorimin deri në 1 000 000 (një milion) lekë ose vlerën ekuivalente në valutë. Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike dhe drejtori i Drejtorisë së Antiterrorit autorizojnë përdorimin e deri në 5 000 000 (pesë milionë) lekë ose vlerën ekuivalente në valutë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit autorizon përdorimin e mbi 5 000 000 (pesë milionë) lekë ose vlerën ekuivalente në valutë.
Nuk mund të autorizohet përdorimi i fondit të veçantë përtej fondit limit të përcaktuar në buxhetin për strukturën policore përkatëse. Në rastet kur nevojat janë përtej fondit limit të përcaktuar, kërkohet miratim nga eprori që ka kompetencë dhënien e autorizimit të përdorimit ose shtesë buxheti në fondin e veçantë.
Kur gjatë përdorimit të fondit të veçantë, dinamika kërkon fonde të tjera, përtej atyre të miratuara, autorizohen fonde shtesë, me kusht që shuma e të gjitha rasteve të miratuara për përdorim të fondit të veçantë të mos kapërcejë kompetencën e autoritetit policor që jep autorizimin e përdorimit.
Pas miratimit të fondit të veçantë, Drejtoria e Financave, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në fillim të vitit buxhetor dërgon planin e përdorimit sipas përkatësisë.
Pjesë e buxhetimit në fondin e veçantë është edhe shuma prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh, që mbahet gjendje në mënyrë të vazhdueshme në sektorin e financave për aparatin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Llogaria e fondit të veçantë në strukturat vendore të policisë mbahet nga sektori/seksioni i financave, ndërsa, në nivel qendror, nga sektori i financave për aparatin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Në rastin e situatave të rënduara kriminale dhe/ose për realizimin e operacioneve të veçanta policore të paplanifikuara, kur mjetet financiare në dispozicion janë shpenzuar apo nuk mjaftojnë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i propozon ministrit të Brendshëm buxhet shtesë për fondin e veçantë, pa tejkaluar, në çdo rast, kufirin prej 1% të buxhetit vjetor të Policisë së Shtetit. /j.p/