E Martë, 3 Nëntor 2026

Miratohet në parim marrëveshja me Serbinë për sigurimet shoqërore

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot në parim marrëveshjen me Serbinë për sigurimet shoqërore.

Në mbledhjen e sotme në mbështetje të ligjit “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Serbisë, për sigurimet shoqërore.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Shqipëria dhe Serbia parafirmosën vitin e kaluar marrëveshjen kuadër në fushën e sigurimeve shoqërore.

Kjo marrëveshje iu siguron qytetarëve shqiptarë një sërë përfitimesh, si: pensionin e pleqërisë, përfitimet e barrëlindjes, pensionin familjar, atë të invaliditetit, etj. Ajo gjithashtu siguron bashkimin e periudhave kontributive, duke bërë që qytetarët të mos humbasin vitet e tyre të punës.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›