ODESA – Zelensky akuzon Rusinë për synime më të gjera territoriale në samitin Ukrainë-Evropa Juglindore

KIEV, 11 qershor /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky akuzoi sot Rusinë se po zhvillon ambicie territoriale më të gjera në Evropë nga ato që pranon publikisht.
“Planet ruse të luftës drejtohen nga ky rajon – Odesa – dhe pastaj drejt kufijve me Moldavinë dhe Rumaninë”, tha Zelensky në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore në qytetin port të Detit të Zi.
Ai tha se Moska kërkon të mbjellë kaos në të gjithë rajonin për të dobësuar Evropën, në tërësi.
Menjëherë pasi Rusia nisi pushtimin e saj të plotë të Ukrainës në vitin 2022, gjenerali rus Rustam Minnekayev deklaroi se kontrolli i Ukrainës jugore dhe sigurimi i një korridori tokësor për rajonin moldav të Transnistrisë ishin ndër qëllimet e luftës së Moskës.
Kremlini nuk i ka konfirmuar kurrë zyrtarisht këto objektiva.
Zelensky tha se qëllimet e Rusisë shtriheshin përtej Ukrainës.
“Kremlini ka nxitur tensione etnike në Ballkan, ka ndërhyrë në zgjedhjet në Rumani dhe po përpiqet të rifitojë ndikimin mbi ish-republikat sovjetike si Moldavia”, tha Zelensky.
Ai paralajmëroi se nëse forcat pro-ruse fitonin zgjedhjet parlamentare të Moldavisë në shtator, kjo mund ta inkurajonte Moskën të thellonte ndërhyrjen e saj në vendet e tjera evropiane.
Samiti në Odesa u mbajt për të koordinuar mbështetjen rajonale për Ukrainën dhe për të adresuar shqetësimet më të gjera të sigurisë.
Zelensky përsëriti thirrjet e tij për mbrojtje ajrore më të fortë dhe mbështetje politike, duke përfshirë mbështetjen për përpjekjen e Ukrainës për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. //a.i/