Miratohet plani i veprimit të agjendës digjitale për arsimin 2025-2030

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi “Planin e veprimit të agjendës digjitale për arsimin 2025-2030”, duke përfshirë standardet për arritjen e kompetencës digjitale.
Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe të gjitha institucionet përgjegjëse të përmendura në tekstin e këtij plani veprimi për zbatimin e këtij vendimi.
Ky plan synon të transformojë sistemin arsimor shqiptar përmes digjitalizimit të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.
Plani synon zhvillimin e kompetencave digjitale për nxënësit dhe mësuesit, zgjerimin e rrjetit të SMARTlab-eve në shkollat bazë dhe të mesme, furnizimin me 5500 laptopë për shkollat publike, me mbështetjen e Bankës Botërore, CEB dhe IPA III, zgjerimin e lidhjes broadband dhe Wi-Fi me shpejtësi të lartë në të gjitha institucionet arsimore, krijimin e mekanizmave monitorues për të ndjekur progresin e digjitalizimit në arsim si dhe rritjen e përfshirjes sociale dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe të gjelbër në sistemin arsimor.
Gjithashtu ky plan kontribuon gjithashtu në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit në Bashkimin Europian, në veçanti në fushën e arsimit dhe shoqërisë digjitale.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
/k.s/r.e/a.f/