Pas 30 vitesh largimi dhe punë në Evropë, Kitmir Jeminaj rikthehet në Kukës për të vazhduar zanatin e furrtarit

Pas 30 vitesh largimi dhe pune në Evropë, Kitmir Jeminaj është rikthyer në Kukës, për të vazhduar zanatin e furrtarit që e ka shoqëruar gjithë jetës. Ai ka vendosur të ndërtojë jetën dhe aktivitetin e tij në vendlindje, duke u rikthyer te zanati që e ka pasur gjithmonë afër. Jeminaj tregon se rruga nuk ka qenë aspak e lehtë, por thekson se puna e ndershme gjithmonë jep rezultat.
“Me këtë profesion kam 30 vite që merrem, në Austri, Hungari, Francë, Gjermani dhe tashmë jam kthyer në shtëpi për ta provuar”, u shpreh Kitmiri.
Ai rrëfen se zanati i furrtarit është ndër më të lodhshmit, pasi dita nis që në orën dy të mëngjesit. Nga përgatitja e brumit deri te pjekja e bukës, gjithçka kërkon vëmendje dhe përkushtim të plotë.
Tradita e furrtarisë tashmë po vazhdohet edhe nga dy djemtë e tij, dhe ta trashëgojnë këtë zanat. Por, sipas Jeminajt, hapja e një aktiviteti të tillë në Kukës shoqërohet me shumë vështirësi, që nga kostot e larta deri te mungesa e fuqisë punëtore.
“Çmimet nuk janë të mira, duhet të mundohesh për të nxjerrë një ditë pune”, tha ai.
Mesazhi i tij për të rinjtë është të shikojnë mundësinë për të punuar dhe për të jetuar në vendlindje.
Gazetare: Shkurte Elezaj
/rtsh.al/