E Hënë, 2 Nëntor 2026

Miratohet projektrezoluta për RTSH 2025/ Vasili dhe Hoxhalli në Kuvend: Institucioni drejt transformimit digjital, reformës financiare dhe ristrukturimit sipas rekomandimeve të EBU-së

Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili dhe kreu i Këshillit Drejtues të RTSH, Fatjon Hoxhalli raportuan në Komisionin Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, në kuadër të shqyrtimit të projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Radiotelevizionit Shqiptar për vitin 2025”, miratuar në unanimiteti, mbi reformat, zhvillimet programore dhe sfidat financiare të institucionit.

Në fjalën e saj Drejtoresha e Përgjithshme, Eni Vasili, Vasili, prezantoi gjetjet e raportit të EBU-së, i cili evidenton sfida të akumuluara në aspektin financiar, strukturor dhe teknologjik, si dhe nevojën për rishikim të modelit të funksionimit dhe financimit të medias publike. Ajo theksoi se RTSH ka nevojë për modernizim të thellë, konsolidim të strukturave dhe rritje të eficiencës, duke e konsideruar transformimin digjital si prioritet strategjik.

Në fokus të raportimit ishin edhe programet për fëmijë e të rinj, bashkëpunimet me EBU dhe Ministrinë e Arsimit, si dhe projekte të reja edukative e kulturore. Megjithatë, Vasili nënvizoi se produksionet kanë kosto të lartë dhe kërkojnë financim më të qëndrueshëm për të garantuar cilësi dhe zgjerim të ofertës publike.


RTSH në Kuvend, Hoxhalli: Rekomandimet kanë ardhur me vonesë, EBU hartoi plan veprimi të detajuar, jemi në fazën e zbatimit aktiv

Kreu i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Fatjon Hoxhalli, ka raportuar në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale gjatë shqyrtimit të projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Radiotelevizionit Shqiptar për vitin 2025”.

Gjatë fjalës së tij, Hoxhalli theksoi se institucioni ka pasur katër rekomandime, të cilat sipas tij kanë mbërritur me vonesë dhe lidhen me një periudhë që përfshin fundin e vitit 2025 dhe pjesën e parë të vitit 2026.

Ai u shpreh se është hartuar një plan strategjik transformimi, ndërsa janë ndërmarrë hapa konkretë në bashkëpunim me Bashkimin Evropian të Transmetuesve (EBU).

“Sipas tij, në periudhën tetor–dhjetor 2025 është realizuar një vlerësim i thelluar dhe i pavarur institucional nga EBU, i cili ka sjellë një plan të detajuar veprimi me faza, që tashmë ndodhet në fazën e zbatimit aktiv”, u bë e ditur në Komision.

Hoxhalli nënvizoi se procesi i reformimit të RTSH-së është në vijim dhe kërkon kohë për t’u finalizuar plotësisht.


Hoxhalli: Po forcohet struktura e “RTSH Kuvend”, drejt programacionit të ri

Kreu i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Fatjon Hoxhalli, ka bërë të ditur në Kuvend zhvillimet lidhur me rekomandimin për programacionin e kanalit “RTSH Kuvend”. Ai u shpreh në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale se kanali ka operuar deri më tani me një strukturë minimale, ndërsa gjatë vitit 2025 janë realizuar disa emisione informative.

Sipas Hoxhallit, aktualisht po zhvillohet një bashkëpunim i ngushtë me Kuvendin e Shqipërisë për forcimin e kësaj strukture dhe krijimin e një programacioni më të plotë, me fokus shpjegues dhe analitik mbi punën parlamentare.

“RTSH po miraton një strukturë të re të posaçme për këtë kanal, i cili do të jetë nën njësinë e lajmeve, ndërsa Kuvendi po organizon një skuadër të veçantë për transparencën e plotë të aktivitetit parlamentar,” u bë e ditur gjatë deklarimit.

Hoxhalli shtoi se synimi është që në sesionin e ardhshëm parlamentar, “RTSH Kuvend” të transmetojë me një programacion të ri dhe më të konsoliduar, duke rritur informimin publik mbi punën e institucionit ligjvënës.


Hoxhalli: Digjitalizimi i arkivës së RTSH-së, detyrim për ruajtjen e memories audiovizive

Kreu i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Fatjon Hoxhalli, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e arkivës audiovizive dhe domosdoshmërinë e digjitalizimit të saj, gjatë një deklarimi publik.

Ai e cilësoi digjitalizimin e arkivës si një detyrim themelor publik për ruajtjen e memories audiovizive kombëtare, duke paralajmëruar se çdo vonesë rrit rrezikun e degradimit të materialeve analoge.

Sipas Hoxhallit, RTSH ka kërkuar një fond prej rreth 200 milionë lekësh për vitin 2026, por ky financim nuk është reflektuar në alokimet buxhetore.

“Po punojmë me të gjitha mundësitë e burimeve alternative të financimit për të kryer një vlerësim paraprak të nevojave teknologjike dhe financiare për digjitalizimin e plotë të materialeve,” u shpreh ai.

Hoxhalli shtoi se synimi është që, në kuadër të rezolutës së re, materialet arkivore të vihen në dispozicion të studiuesve dhe publikut vetëm pasi të jenë digjitalizuar plotësisht.

Ai bëri të ditur gjithashtu se është nisur një projekt për publikimin e një pjese të arkivës në një kanal të posaçëm në YouTube, me qëllim rritjen e aksesit publik në përmbajtjet historike të RTSH-së.


Drejtoresha e RTSH-së : Raporti i EBU-së evidenton nevojën për transformim të thellë të medias publike. I gjithë modeli financiar duhet të rishikohet

Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), Eni Vasili, raportoi sot në Komisionin Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, në kuadër të shqyrtimit të projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Radiotelevizionit Shqiptar për vitin 2025”, e cila u miratua me ndryshime.

Gjatë raportimit, Vasili paraqiti një përmbledhje të raportit të hartuar nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU), duke ndalur te vlerësimet dhe rekomandimet kryesore për funksionimin e RTSH-së. Drejtoresha theksoi dhe rekomandimin e EBU se ka ardhur koha qe i gjithë modeli financiar të rishikohet.

Ajo theksoi se gjatë gjithë procesit është synuar transparencë maksimale, duke bërë të ditur se raporti i plotë i diagnozës është publikuar në faqen zyrtare të RTSH-së dhe u është shpërndarë institucioneve përkatëse.

“Vlerësimi i EBU-s, raporti i plotë i diagnozës është në fqen e ëeb-it të rtsh-së, iu është dërguar institucioneve, kjo për t’i dhënë një shije transparence këtij procesi dhe interesimit të madh që kemi ne si institucion për të qenë sa më transparentë në këtë bashkëpunim me EBU-në.

Qëndrimi i këtij vlerësimi ishte analizimi i gatishmërisë së RTSH-së për transformim dhe modernizim, si dhe identifikimi i reformave prioritare të nevojshme për të garantuar qëndrueshmërinë afatgjatë të medias publike shqiptare. Raporti i EBU-së vlerëson RTSH-në si institucioni kryesor i shërbimit publik mediatik në vend. RTSH përballet me sfida të konsiderueshme strukturore, operacionale, financiare të akumuluara ndër vite, si pasojë e mungesës së investimeve afatgjata, fragmentimit të strukturave oganizative, zhvillimit të pakontrolluar të portofolit të shërbimeve dhe kufizimeve të vazhdueshme financiare.

Sipas vlerësimit të EBU, sfida kryesore nuk lidhet me mungesës e ambicies për modernizim, por me nevojën për të ndërtuar një model të ri funksionimi i cili të harmonizojë strategjinë institucionale, strukturën organizative, burimet financiare, teknologjinë, zhvillimin e audiencës dhe prioritetet editoriale. Raporti arrin në përfundimin se ambicia profesionale e RTSH-së ka tejkaluar kapacitetet aktuale operacionale dhe se modeli ekzistues i organizimit nuk është më i përshtatshëm për sfidat e medias publike në epokën dixhitale”, deklaroi Vasili.

Ajo tha më tej se një nga konkluzionet kryesore të raportit është se RTSH-ja administron një numër të lartë kanalesh televizive, radiofonike, platformash shpërndarjeje, i cili tejkalon kapacitetet aktuale financiare, teknike dhe njerëzore të institucionet.

“Sipas EBU-së, racionalizimi dhe konsolidimi i portofolit të shërbimeve përbën kush të domosdoshëm për rritjen e cilësisë së përmbajtjes, përmirësimin e eficencës organizative dhe garantimin e qëndrueshmërisë afatgjate të medias publike.  Raporti evidenton gjithashtu se qëndrueshmëria financiare e RTSH-së mbetet e kufizuar nga pesha e lartë e kostove fikse, financimi publik i pamjaftueshëm për nevojat e transformimit, të ardhurat e kufizuara tregtare dhe nevojat e konsiderueshme për investime teknologjike. Në këtë kuadër rekomandohet një lidhje më e drejtpërdrejt ndërmjet planifikimit strategjik, prioriteteve programore dhe shpërndarjes së burimeve financiare“, tha drejtoresha e RTSH-së.

Vasili nënvizoi se në aspektin editorial dhe të zhvillimit të audiencës, EBU vlerëson se RTSH gëzon ende besueshmëri dhe rol të rëndësishëm publik, por thekson nevojën e për forcimin e pranisë dixhitale, rritjen e përmbajtjes së orientuar drejt të rinjve, diasporës, si dhe përdorimin më të madh të të dhënave mbi audiencën në proceset e vendimmarrjes.

“EBU konstaton se disponon potencial të rëndësishëm institucional, profesional dhe njerëzor për t’u transformuar në një media publike moderne, konkurruese dhe të qëndrueshme. Por ky transformim kërkon reforma të koordinuara në qeverisje. EBU ka propozuar dhe një plan te detajuar veprimi për transformim të plotë. Ofron mbështetje të mëtejshme për zbatimin e reformës sipas standardeve europiane. Kemi garanci nga EBU se do të na asistojnë në çdo proces deri në përmbyllje të reformës.
Ajo që doja të nënvizoja është kjo reformë do të ketë një kosto financiare në fund që ne do ta ndajmë me publikun dhe qeverinë. Duhet të jemi të vetëdijshëm që kjo reformë duhet të financohet. Sipas EBU-së është i rëndësishëm rikonstrukturimi i tarifës, i mënyrës se si paguhet sot tarifa. Të merret parasysh inflacioni. Kemi më shumë se një dekadë që kjo tarifë nuk ndryshon dhe të ardhurat nga buxheti i shtetit prej një dekade nuk ndryshojnë. Siç thotë dhe EBU-ja ndoshta ka ardhur koha qe i gjithë modeli financiar të rishikohet”,
 deklaroi Vasili.


Auditim kritik në RTSH, Hoxhalli: U zbuluan dobësi serioze

Kreu i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Fatjon Hoxhalli, ka bërë të ditur zhvillimet lidhur me procesin e auditimit të institucionit, gjatë një deklarimi mbi ecurinë e kontrollit të brendshëm.

Sipas tij, gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2025 është kryer një auditim i plotë financiar dhe ligjor, si dhe tre auditime tematike mbi funksionimin e strukturave të brendshme.

Hoxhalli theksoi gjithashtu se së fundmi ka përfunduar një auditim tjetër kritik, i cili ka analizuar procedurat e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës në periudhën qershor 2023 – qershor 2025. Sipas tij, ky auditim ka evidentuar disa dobësi serioze administrative dhe ligjore.

Ai shtoi se në fillim të vitit 2026 pritet të nisë një fazë e re kontrolli dhe riorganizimi, me synimin për të shtuar pozicione të reja organike dhe për të rritur eficiencën e punës, volumit dhe cilësisë së produkteve të njësisë së auditimit në RTSH.


Vasili: Forcimi i qëndrueshmërisë financiare të RTSH, një nga objektivat kryesorë kyç

Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili, ka raportuar në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale gjatë shqyrtimit të projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Radiotelevizionit Shqiptar për vitin 2025”.

Gjatë fjalës së saj, Vasili theksoi se forcimi i qëndrueshmërisë financiare të institucionit mbetet një nga objektivat kryesorë të RTSH-së.

Ajo u shpreh se synimi është që RTSH të funksionojë sipas standardeve më të mira të qeverisjes së transmetuesve publikë europianë, duke theksuar se çdo reformë e suksesshme duhet të mbështetet në një bazë të qëndrueshme financiare.

“Një nga drejtimet kryesore të punës sonë do të jetë forcimi i qëndrueshmërisë financiare të institucionit, përmes planifikimit shumëvjeçar të investimeve, diversifikimit të të ardhurave brenda kufijve ligjorë dhe përdorimit më racional të fondeve publike,” u shpreh Vasili.

Ajo shtoi se RTSH është e angazhuar për të përmirësuar eficiencën dhe transparencën financiare, në funksion të modernizimit të institucionit dhe rritjes së cilësisë së shërbimit publik.


RTSH drejt transformimit digjital, Vasili: Media publike duhet të jetë kudo ku është publiku. Modernizim i infrastrukturës dhe arkivës

Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili, ka theksuar në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale rëndësinë e transformimit digjital të institucionit, gjatë shqyrtimit të projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së RTSH-së për vitin 2025”.

Ajo u shpreh se RTSH duhet të jetë plotësisht e orientuar drejt transformimit digjital, duke e konsideruar këtë një nga objektivat kryesorë të viteve në vijim.

“Media publike e së ardhmes matet nga aftësia për të qenë e pranishme në çdo platformë ku është publiku sot”, u shpreh Vasili.

Sipas saj, procesi i transformimit digjital përfshin zhvillimin e platformave digjitale, modernizimin e infrastrukturës teknologjike, zgjerimin e shërbimeve on-demand, si dhe forcimin e sigurisë kibernetike.

Ajo shtoi gjithashtu se prioritet mbetet përmirësimi i procedurave editoriale dhe organizative, si dhe digjitalizimi i plotë i arkivës audiovizive, me qëllim modernizimin e RTSH-së dhe përshtatjen me standardet e mediave publike europiane.


Hoxhalli: Është ngritur libri i ndërhyrjeve për linjën editoriale, deri tani rezulton “në rreshtin zero”

Kreu i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Fatjon Hoxhalli, ka deklaruar se është ngritur “libri i ndërhyrjeve” për të gjithë linjën editoriale të institucionit.

Sipas tij, deri më tani ky proces rezulton “në rreshtin zero”, duke nënkuptuar mungesë ndërhyrjesh në përmbajtjen editoriale të RTSH-së.

Hoxhalli nuk dha detaje të tjera mbi mekanizmin e funksionimit të këtij libri apo mënyrën e monitorimit, por theksoi se ai shërben si një instrument i brendshëm për ndjekjen e standardeve editoriale dhe transparencës në punën e institucionit publik.


Vasili: 16 dokumentarë të rinj nga EBU për programacionin e fëmijëve

Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, ka folur mbi zhvillimet në programacionin dedikuar fëmijëve dhe të rinjve, duke e cilësuar këtë segment si një sfidë të përditshme për institucionin.

Ajo u shpreh se RTSH ka ndërmarrë masa të menjëhershme për rikuperimin dhe fuqizimin e kësaj fashe programore, me synimin për ta vendosur në prioritetet kryesore të transmetuesit publik.

Sipas saj, janë realizuar disa prodhime të reja në gjuhën shqipe, mes tyre edhe emisioni “+-18″ i transmetuar në RTSH 2, i cili trajton tema për të rinjtë dhe ka mbuluar mbi 100 çështje deri tani.

Vasili theksoi se RTSH Fëmijë funksionon si kanal 24-orësh dedikuar kësaj grupmoshe, duke transmetuar prodhime të dubluara dhe të përkthyera, si dhe projekte të reja në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë.

Ajo përmendi edhe një projekt me EBU-në, një dokumentar që trajton dashurinë e fëmijëve për folklorin, i cili është transmetuar edhe nga ZDF në Gjermani. Po ashtu, RTSH ka siguruar 16 dokumentarë të rinj nga EBU, të cilët do të përshtaten në emisione të veçanta.

Ndër projektet e ardhshme, Vasili njoftoi formatin e ri “Kërcimtarët e vegjël”, i planifikuar për periudhën shtator–dhjetor 2026, si dhe programin e fundjavës për fëmijë në RTSH, në bashkëpunim me Teatrin e Kukullave.


Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH: Buxhet i pandryshuar prej më shumë se një dekade, mungojnë fondet për produksione

Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, ka vlerësuar bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit, duke theksuar se në kuadër të këtij partneriteti janë realizuar disa produksione të përbashkëta.

Ajo u shpreh se këto projekte kanë qenë të suksesshme dhe kanë sjellë përmbajtje të rëndësishme, ndërsa RTSH ka pasur vetëm gjashtë muaj kohë për të ndërtuar një programacion të ri.

“Bashkëpunim shumë i mirë me Ministrinë e Arsimit, kemi realizuar edhe disa produksione në bashkëpunim me ta. Kanë qenë redaktime mjaft interesante. Dua t’ju kujtoj se kemi pasur mundësi të punojmë vetëm 6 muaj për një programacion të ri”, tha Vasili.

Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH njoftoi gjithashtu se nga muaji shtator është në projekt emisioni i ri “Për një grusht librash”, një quiz që synon të nxisë leximin dhe të rikthejë interesin e fëmijëve për librin, përmes shpërblimit me libra dhe formate edukative.

Sipas saj, temat sociale janë trajtuar gjerësisht në emisionin “+-18”, si dhe në programe të tjera të RTSH-së, ndërsa bashkëpunimi me institucione të ndryshme ka qenë në rritje.

“Kemi në projekt, duke filluar nga shtatori, një emision që titullohet “Për një grusht librash”, një kuiz ku fitohen libra, për t’ju drejtuar asaj audience dhe atij shqetësimi, si dhe për t’ju rikthyer fëmijëve kuriozitetin për librin.

Temat sociale janë trajtuar gjerësisht në emisionin “+-18”, si dhe në çdo emision tjetër në RTSH”, shtoi Vasili.

Megjithatë, ajo theksoi se produksionet televizive kanë kosto të lartë dhe kërkojnë mbështetje më të madhe financiare për të garantuar cilësi dhe shtrirje më të gjerë të interesave publike.

Vasili nënvizoi se financimi i RTSH-së ka mbetur i pandryshuar prej më shumë se një dekade, ndërsa shpenzimet kryesore të institucionit shkojnë për paga, sigurime dhe energji.

“Teknologjia e transmetimit është e vjetëruar dhe RTSH ka nevojë për investime serioze në modernizim,” u shpreh ajo, duke shtuar se fondet që mbeten për produksione janë të pamjaftueshme për kërkesat e një media publike moderne.

“Financimi i RTSH-së ka mbetur i njëjtë prej më shumë se një dekade, me të njëjtin buxhet. Mund të kërkojmë më tepër, por çdo gjë sot kushton. RTSH ka një teknologji shumë të prapambetur, teknologji transmetimi të parinovuar. Pjesën më të madhe të buxhetit e zënë pagat, sigurimet dhe energjia, ndërsa ajo që mbetet për produksione është e pamjaftueshme. Një vëmendje e veçantë është e domosdoshme”, theksoi Vasili.


“’Digital first’, pjesë e strategjisë me EBU”/ Vasili në Kuvend: Nga shtatori RTSH lancon platformën OTT. Diaspora pjesë e projekteve tona

Drejtoresha e RTSH-së, Eni Vasili, deklaroi në Kuvend se transformimi dixhital është një nga prioritetet kryesore të institucionit, në kuadër edhe të bashkëpunimit me Unionin Evropian të Transmetuesve (EBU).

Sipas saj, hapi i parë i kësaj strategjie është lançimi i platformës OTT të RTSH-së, që pritet të vihet në funksion nga muaji shtator.

“Aspekti dixhital është një nga prioritetet që i kemi vendosur vetes së bashku me EBU-në. E kemi quajtur ‘digital first’, pasi siç e thatë ju jetojmë në një kohë dixhitale . Hapi i parë lancimi i platformës sonë OTT në shtator, parashikojmë ta lancojmë në shtator. Secili nga ju mund të ketë një app të RTSH-së në telefonin tuaj apo TV tuaj smart dhe mund të shohë kanalet e RTSH-së dhe jo vetëm në internet dhe çdo platformë. Do sigurohemi që t’u përgjigjemi edhe më mirë interesave për tema të caktuara, kanale të caktuara të çështjeve sociale që u ngritën dhe këtu. Rritja e prezencës sonë në rrjetet sociale, është pjesë e strategjisë sonë ‘digital first’ që kemi me EBU-në”, tha Vasili.

Sa i përket diasporës, Vasili theksoi se “diaspora vazhdon të mbetet një çështje shumë e rëndësishme për ne”.

“Në kemi nisur një projekt ‘Shqiptarët pa kufij’ që trajton çështjet e diasporës, sjell historitë e tyre në Shqipëri. Kemi disa projekte duke filluar nga shtatori për diasporën të cilat dhe ato po mundohemi t’i financojmë, nuk është e thjeshtë, por shpresojmë që t’i arrijmë deri në shtator”, theksoi drejtoresha e përgjithshme e RTSH-së.  

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›