E Hënë, 2 Nëntor 2026

Miratohet skema e qirasë për vitin 2026, aplikimet për qytetarët deri më 3 nëntor

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Elbasanit u miratua vlera mesatare e qirasë dhe bonusi maksimal që do të aplikohet për vitin 2026.

Kjo nismë synon të ndihmojë familjet në nevojë për strehim, të cilat nuk kanë mundësi të paguajnë qiranë në tregun e lirë.

“Dua ti bëj apel të gjithë familjeve të cilët duan të përfitojnë nga kjo skemë, të aplikojnë deri në datë 3 nëntor është e hapur dhe është një moment i mirë që i vjen në ndihmë familjeve që janë në nevojë, qirat janë në vlerën e tregut”, u shpreh  Gledian Llatja  Kryetar i Bashkisë Elbasan.

Sipas agjentëve imobiliarë, tregu i banesave me qira është përtej kapaciteteve. Ata e vlerësojnë nismën si një ndihmë të madhe për qindra familje.

“Duke parë që apartamentet në shitje janë rritur çmimet dhe në pamundësi të blerjes së një apartamenti , fokusi është gjithmonë tek marrjen e një apartamenti me qira sidomos nga çiftet e reja të cilët nuk kanë mundësi të blejnë një apartament ato i drejtohen atyre me qira”, tha Eluert Dika, Agjent Imobiliar.

Edhe qytetarët e Elbasanit thonë se qiratë janë të papërballueshme dhe kërkojnë që të ketë më shumë skema të ngjashme për të mbështetur të rinjtë e familjet në vështirësi.

“Çiftet e reja nuk e përballojnë dot”, tha një qytetare.

Aktualisht janë bërë mbi 200 aplikime, ndërsa për këtë vit janë në dispozicion 315 kuota. Familjet e kualifikuara do të përfitojnë subvencionin e qirasë sipas vlerës mesatare të tregut.

Gazetar: M. Marashi

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›