E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kryen sjellje të pahijshme ndaj qytetarit, arrestohet efektivi në Vlorë, hetim disiplinor për kolegun

Një denoncim i një qytetari ka çuar në arrestimin e një inspektori të policisë në Vlorë dhe hetimin disiplinor të një tjetrit.

Sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore është arrestuar inspektori H. I., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Vlorë, i dyshuar për veprën penale “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Arrestimi u krye pas një telefonate të ardhur në sallën operative, nga një qytetar që pretendoi se dy punonjës policie e kishin ndaluar në zonën e Ujit të Ftohtë, duke u sjellë në mënyrë jo etike.

Pas ndërhyrjes së strukturave të AMP-së dhe kryerjes së testit të alkoolit, punonjësi H. I. rezultoi pozitiv në masën 0.82 mg/l, çka çoi menjëherë në arrestimin e tij në flagrancë.

Ndërkohë, ndaj punonjësit tjetër të policisë, E. A., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Vlorë, do të vijojë procesi i hetimit disiplinor për sjelljen gjatë ushtrimit të detyrës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›