E Martë, 3 Nëntor 2026

Miratohet vendimi për organizimin dhe funksionimin e policimit vullnetar

TIRANË, 28 maj/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për rregullimin e organizimit, funksionimit dhe fushës së veprimit të shërbimit të policimit vullnetar, një nismë që synon përmirësimin e sigurisë publike dhe forcimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit, duke promovuar edhe angazhimin qytetar.

Në vendimin e publikuar nga Këshilli i Ministrave bëhet e ditur se “qëllimi i këtij vendimi është përmirësimi i sigurisë publike, forcimi i kapaciteteve të strukturave të Policisë së Shtetit dhe inkurajimi i angazhimit qytetar, duke promovuar bashkëpunimin ndërmjet policisë dhe komunitetit për rritjen e besimit dhe parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi”.

Sipas vendimit, shërbimi i policimit vullnetar funksionon në mbështetje të strukturave vendore të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunon me to për: sigurimin dhe garantimin e rendit publik në aktivitetet me karakter masiv, si tubime, koncerte, festivale, aktivitete sportive dhe organizime fetare; dhënien e ndihmës për menaxhimin e trafikut rrugor në qendrat urbane dhe rurale, duke kryer këto detyra; rritjen e sigurisë publike pranë institucioneve arsimore; kontrollin e territorit, mbështetjen e patrullimit policor për parandalimin e krimit dhe ndërhyrjen ndaj shkeljeve të ligjit; mbështetjen e policisë në mbrojtjen e pronës, mjedisit dhe zonave të mbrojtura; mbështetjen e policisë në mbrojtjen e pronës, mjedisit dhe zonave të mbrojtura dhe mbështetjen e ekipeve për gjetjen e personave të humbur ose në rrezik jete në zonat malore dhe bregdetare.

Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›