Mirdita plan masash për parandalimin e zjarreve, shtohet personeli i zjarrfikësve

TIRANË, 17 qershor /ATSH/ Mirdita, një nga zonat me risk të lartë për zjarret gjatë sezonit veror, ka rritur kapacitetet njerëzore dhe logjistike për të përballuar çdo situatë emergjente që mund të krijohet gjatë muajve të verës.
Plani i masave për parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve u prezantua sot gjatë një takimi me personelin zjarrfikës dhe strukturat përgjegjëse, ku morën pjesë drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara si dhe kryetari i bashkisë Mirditë, Albert Melyshi.
Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës në Mirditë, Agim Lleshaj, bëri të ditur se vëmendja kryesore do të përqendrohet përgjatë Rrugës së Kombit dhe në zonat urbane, ku do të stacionohen mjete zjarrfikëse dhe personeli i nevojshëm për ndërhyrje të shpejtë.
“Kemi përgatitur plan masash për parandalimin e zjarreve. Do të përqendrohemi te Rruga e Kombit, pjesa tjetër do të jetë në zonat urbane. Këtë vit personeli është shtuar me 6 punonjës të rinj”, tha Agim Lleshaj.
Nga ana e tij, Melyshi kërkoi gatishmëri dhe angazhim maksimal nga të gjitha strukturat për t’u përballur me situatat që mund të krijohen gjatë verës.
“Pres një gatishmëri dhe angazhim maksimal. Shpresoj që mos të kemi raste emergjente si ato vitin e kaluar”, tha Melyshi.
Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara e vuri theksin te rëndësia e parandalimit dhe reagimit në kohë, si elementë kyç për të shmangur përhapjen e vatrave të zjarrit dhe minimizimin e dëmeve.
/m.q/j.p/r.e/