E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT publikon mesazhin e mirënjohjes nga familja britaniko-kanadeze për mjekët e Kardiologjisë

TIRANË, 17 qershor /ATSH/ Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ndau sot mesazhin falënderues të një familjeje britaniko-kanadeze drejtuar ekipit të Kardiologjisë të kësaj qendre, të udhëhequr nga dr. Astrit Çeka. Kjo pas një problematike kardiake që kryefamiljari, Marku, pati gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, e cila u zgjidh falë ndërhyrjes së ekipit mjekësor.

Në postimin e publikuar në rrjetet sociale, QSUT-së evidenton punën dhe përkushtimin e ekipit mjekësor, ndërsa shkruan se falënderimi i marrë nga familja britanike konsiderohet një motivim i mëtejshëm për punën e përditshme të bluzave të bardha.

“Në QSUT, çdo ditë mirëpresim pacientë nga e gjithë Shqipëria, si dhe pacientë të huaj, rezidentë apo vizitorë, të cilët kërkojnë kujdes dhe shërbime mjekësore të specializuara. Fjalët e mirënjohjes dhe vlerësimet që marrim nga pacientët tanë janë dëshmia më e drejtpërdrejtë e përkushtimit, profesionalizmit dhe humanizmit të stafit tonë”, thuhet në postim.

“Çdo falënderim dhe çdo mesazh besimi për kujdesin e marrë është një motivim i çmuar për ekipet tona, të cilat çdo ditë punojnë me përgjegjësi dhe përkushtim maksimal në shërbim të jetës dhe shëndetit”, përfundon postimi, teksa është publikuar edhe mesazhi i falënderimit i dërguar nga familja e pacientit Mark.

Në mesazhin drejtuar dr. Astrit Çekës dhe ekipit të Kardiologjisë, familja shpreh mirënjohjen e thellë për shpëtimin e jetës së bashkëshortit dhe vlerëson përkushtimin, profesionalizmin dhe humanizmin e treguar gjatë gjithë trajtimit.

Familja thekson se, megjithëse ndodheshin larg shtëpisë dhe pa njohur gjuhën, ekipi mjekësor i bëri të ndiheshin të sigurt dhe të mbështetur gjatë gjithë kohës.

Në mesazh vlerësohet gjithashtu puna e kirurgut dhe e të gjithë stafit, ndërsa bëhet e ditur se pacienti tashmë është rikthyer në Kanada, ku po rikuperohet shumë mirë dhe ka nisur seancat e rehabilitimit kardiak në Institutin e Kardiologjisë në Otava.
Falënderim për Heronjtë Tanë në Kardiologji.

Letra e plotë:

/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›