Mirditë, lëndë plasëse pranë makinerive të kompanisë së inerteve, pritet ndërhyrja e xhenierëve

Një sasi lënde plasëse është konstatuar mëngjesin e kësaj të hëne pranë makinerive të një kompanie inertesh në zonën e Spaçit, në Mirditë.
Sipas informacioneve paraprake, lënda u vu re nga punonjësit e kompanisë, të cilët njoftuan menjëherë policinë. Fatmirësisht, ajo nuk ka shpërthyer, duke shmangur pasoja të rënda.
Në vendngjarje pritet të mbërrijnë forcat xheniere për të kryer çaktivizimin e lëndës plasëse, ndërsa policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e vendosjes së saj dhe autorët e mundshëm.
Ngjarja ka krijuar shqetësim në zonë, ndërsa autoritetet lokale kanë siguruar se po merren të gjitha masat për garantimin e sigurisë së punonjësve dhe komunitetit.
Mirditë/ Informacion paraprak
Më datë 16.03.2026, rreth orës 08:00, shtetasja I. B., administratore e një subjekti minerar, njoftoi Policinë se në ambientet e parkingut të subjektit, në një kamion, ishte konstatuar një qese që dyshohet se përmbante lëndë plasëse të pa shpërthyer.
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor shkuan menjëherë në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryejnë të gjitha veprimet për sqarimin e rrethanave, identifikimin e autorit/ve dhe dokumentimin ligjor të rastit.
/rtsh.al/