“Mirë se erdhët në Izrael, ne jemi të zotët e shtëpisë”/ Publikohen pamje të Flotiljes për Gazën, aktivistët të gjunjëzuar dhe me sy të lidhur, zemërim pas reagimit të ministrit izraelit

Aktivistët e “Global Sumud Flotilla”, të ndaluar nga marina izraelite gjatë rrugës drejt Gazës, kanë nisur të mbërrijnë në portin e Ashdod. Lajmi është konfirmuar nga organizata ligjore Adalah, e cila po ofron ndihmë juridike për pjesëmarrësit e misionit humanitar.
Sipas autoriteteve izraelite, gjatë natës së së martës janë ndaluar të gjitha anijet e flotiljes dhe janë arrestuar rreth 430 aktivistë. Ndërkohë, pamjet e publikuara nga ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, kanë shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare.
Në videot e shpërndara në rrjetet sociale, aktivistët shihen të lidhur me pranga, me sy të mbuluar dhe të gjunjëzuar në tokë, ndërsa Ben-Gvir ecën mes tyre duke ironizuar me fjalët: “Mirë se erdhët në Izrael, ne jemi të zotët e shtëpisë” dhe “Populli i Izraelit jeton”. Në një tjetër video, një aktivist që thërret “Free Palestine” rrëzohet me forcë në tokë nga një polic.
Sipas gazetës izraelite Haaretz, aktivistët janë tërhequr zvarrë në portin e Ashdodit, ndërsa në sfond dëgjohej himni kombëtar izraelit “Hatikva”. Në pamje shfaqen forca policore të maskuara që i detyrojnë aktivistët të qëndrojnë në gjunjë ose me fytyrë përtokë, me duart e lidhura pas shpine.
View this post on InstagramA post shared by Translating Palestine فلسطين (@translating_falasteen)
Pamjet kanë shkaktuar reagim të menjëhershëm nga qeveria italiane. Kryeministrja Giorgia Meloni dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani i cilësuan skenat “të papranueshme” dhe “fyese për dinjitetin njerëzor”.
Në deklaratën e përbashkët, Roma zyrtare kërkoi lirimin e menjëhershëm të qytetarëve italianë të ndaluar dhe kërkoi falje zyrtare nga Izraeli për trajtimin e tyre. Po ashtu, Ministria e Jashtme italiane thirri ambasadorin izraelit në Romë për sqarime urgjente.
Edhe ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, u distancua publikisht nga Ben-Gvir, duke deklaruar në rrjetin X: “Ti nuk je fytyra e Izraelit”. Ai shtoi se publikimi i videove i ka shkaktuar dëm serioz imazhit të vendit.
Sipas autoriteteve italiane, disa nga aktivistët italianë, mes tyre një deputet dhe një gazetar, pritet të kthehen në Itali brenda mbrëmjes së të mërkurës.
Ndërkohë, në qytetin italian të Ankonës, nxënësit e liceut klasik “Carlo Rinaldini” organizuan protestë dhe bojkot mësimi në mbështetje të profesorit të tyre, Vittorio Sergi, i cili ndodhej në njërën prej anijeve të flotiljes dhe u arrestua nga marina izraelite. Nxënësit e përshkruan atë si “një shembull frymëzues për të gjithë”.