E Diel, 1 Nëntor 2026

Punimet në aeroportin e Vlorës, VIA dhe MABCO akuza mes tyre për vonesa, detyrime kontraktuale dhe bllokim të punimeve

Në ditën e tretë të situatës së krijuar para dyerve të Aeroportit të Vlorës, ku punonjësit e kompanisë MABCO dhe nënkontraktorët vijojnë të qëndrojnë jashtë kantierit, ka ardhur reagimi i shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport (VIA)”. Kompania deklaron se situata lidhet me një mosmarrëveshje kontraktuale me MABCO dhe jo me një konflikt politik apo bllokim të aeroportit.

Sipas VIA-s, problemi ka të bëjë me vonesa në realizimin e punimeve dhe mospërmbushje të detyrimeve kontraktuale, ndërsa janë evidentuar sipas saj 429 ditë vonesë, duke shkaktuar dëme në vlerën e mbi 4.2 milionë eurove.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i MABCO-s deklaron se në këtë situatë duhet të ndërhyjë shteti, pasi sipas tij kompania nuk është kontraktore e VIA-s, por e Ministrisë së Transporteve. Ai ngre gjithashtu pyetjen se përse, kompania tjetër “2A Group” lejohet të vijojë punimet në kantier.

“Nëse ne paskemi bërë shkelje kontraktale atëherë si është e mundur që t’i jepet e drejta edhe partnerit tjetër siç është “2 A Group” dhe ata dy vazhdojnë punimet e veta rrjedhshëm dhe pa asnjë pengesë fare kujt i bën shërbim VIA në këtë rast?”, tha Selim Pacolli, përfaqësues i MABCO-s

Pacolli kundërshton edhe pretendimet e VIA-s për dëmet financiare të shkaktuara nga vonesat në punime.

“Nëse ne kemi bërë një dëm, po flas në thonjëza sepse nuk është e vërtetë, asgjë nuk argumentohet, atëherë janë leket tona vëlla i dashur nuk janë leket e vijëVIA-s ato”, tha Pacolli.

Janë rreth 40 kompani nënkontraktore të MABCO-s që prej tre ditësh kanë ndërprerë punimet në aeroport, ndërsa sipas tyre projekti ndodhet në fazën përfundimtare të realizimit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›