“Mirëmëngjes Shqipëri” – Nurellari: Gjykata e Hagës po relativizon vrasësin me viktimën. Shkelje e rëndë e standardeve evropiane

Sot në Tiranë pritet të mbahet një protestë e paralajmëruar prej ditësh me moton “Liria ka Emër, Liri për Çlirimtarët”, e cila synon të mbledhë shqiptarët në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, që po gjykohen në Hagë.
Protesta ka për qëllim të kundërshtojë trajtimin që po marrin këto figura të luftës për liri dhe pavarësi, duke ngritur shqetësime për standardet e ndjekura nga Gjykata Speciale.
Në studion e “Mirëmëngjes Shqipëri”, analisti politik Adri Nurellari theksoi rëndësinë e kësaj proteste për të dërguar një mesazh të qartë tek ndërkombëtarët.
“Është shumë e rëndësishme kjo protestë për të dhënë një mesazh që populli shqiptar nuk qëndron duarkryq dhe të vëzhgojë që po ndodh një tentativë e drejtpërdrejtë për të barazuar historinë dhe për të barazuar xhelatin me viktimën,” tha Nurellari.
Ai shtoi se procesi në Hagë po relativizon pozicionin moral të popullit të Kosovës dhe luftës së shqiptarëve për liri, duke shkelur parimet themelore të drejtësisë evropiane.
“Ne nuk duhet të jemi indiferentë ndaj një procesi që po zhvillohet jashtë çdo lloj standardi evropian, të drejtave të njeriut dhe procesit të rregullt dhe paanshëm si parashikohet,” u shpreh ai.
Nurellari kritikoi zvarritjen e procesit dhe paraburgimin e zgjatur të të akuzuarve duke thënë se: “Së pari është duke u nisur nga fakti që po mbushen 5 vite paraburgim, që është një dënim pa vendim, zvarritje e procesit. Ku nga Konventa parashikohet që paraburgimi është përjashtimi, jo rregulli. Ata e kanë bërë rregull dhe jo përjashtim.”
Ai vuri në dukje se Gjykata Speciale nuk po i përmbush standardet e drejtësisë, duke përmendur mungesën e prezumimit të pafajësisë dhe barazinë e palëve në procesin gjyqësor.
Analisti kujtoi se Gjykata Speciale u krijua pas raportit të Dick Marty në Këshillin e Europës, me qëllim që të garantonte një proces të drejtë dhe transparent.
“Ironia më e madhe është që kjo gjykatë është krijuar pas raportit të Dick Marty në Këshillin Europës dhe sot është duke i shkelur vetë këto parime në shumë nivele,” theksoi ai.
Ai shtoi se Gjykata nuk po i përmbush standardet e drejtësisë, duke përmendur mungesën e prezumimit të pafajësisë, barazinë e palëve dhe paanshmërinë e trupit gjykues.
“Gjykata nuk po i përmbush këto standarde, qoftë në prezumimin e pafajësisë, qoftë në barazinë e palëve në procesin gjyqësor, në paanshmërinë e gjyqësorit sepse kemi parë që gjyqësori është bërë njësh me prokurorinë,” tha Nurellari.
Protesta pritet të jetë një moment i rëndësishëm për të shprehur solidaritetin dhe shqetësimin publik ndaj zhvillimeve në Hagë dhe për të riafirmuar vlerat e luftës për liri-përfundoi analisti Nurellari.
/rtsh.al/