“Mirëmëngjesi Shqipëri” – Eksperti Basha: Policia ka nevojë për trajnim dhe mbështetje për të adresuar problemet e sigurisë

Në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH1, Eksperti për Çështjet e Sigurisë, Faik Basha, theksoi nevojën për një ndryshim të thellë në sjelljen shoqërore dhe përmirësimin e sistemit të sigurisë në Shqipëri.
Basha u shpreh se një zgjidhje efektive kërkon reflektim të thellë brenda familjes dhe shoqërisë. Ai nënvizoi se edhe institucioni i policisë ka nevojë për një riorganizim të thellë.
“Për sa i përket sjelljes ne si shoqëri, kemi nevojë për një ndryshim total, për vëmendje dhe për reflektim brenda familjes apo brenda qelizës më të vogël sepse nuk mund të rregullohet me një gabim apo me një ngjarje të caktuar dhe të kthejmë vëmendjen tek një ngjarje. Policia nuk mund të shuaj konfliktet kur ajo ka arritur në 15% të popullsisë dhe policia është një pjesë të popullsisë ku 5% apo 7% e tyre nuk i binden rregullave dhe institucionet fillojnë dhe marrin masat. Nëse kemi një shoqëri që në çdo moment ke burim konflikti”, u shpreh Basha.
Basha gjithashtu theksoi se Akademia e Sigurisë mund të luajë një rol kyç në përmirësimin e kapaciteteve të punonjësve të policisë, por për shkak të ngarkesës së lartë dhe shpërndarjes së tyre në struktura të tjera, shërbimi dhe trajnimi i duhur shpesh dështojnë.
“Ne policinë e kemi mbi ngarkuar dhe nuk e kemi të trajnuar, kemi akademia e sigurisë e cila i ka mundësitë dhe kapacitetet por për shkak se shumica e punonjësve janë të ndarë në struktura të cilat momentin që mund të shkëputen për tu arsimuar dhe për tu kualifikuar lënë hapësira në kryerjen e detyrës. Ato që kryejnë shërbime ne komunitet duhet të jenë të mirë trajnuar, të njohin ligjet, rregulloret, detyrat dhe të jenë mirë paguar. Policia ka problemin e ngarkesës është mangësi në këtë drejtim”, tha ai.
/rtsh.al/