E Martë, 3 Nëntor 2026

Mirlind Daku rinovon me Rubin Kazan në Rusi

TIRANË, 1 korrik /ATSH/ Sulmuesi i Kombëtares, Mirlind Daku ka vendosur të rinovojë edhe me katër vite të tjera kontratën e tij me Rubin Kazan në Rusi.

Pasi dështoi kalimi i tij tek Zeniti i Shën Petersburgut, gjilanasi u bind nga Rubin dhe paga e tij fillestare do të jetë 2,2 milionë euro në sezon, që me bonuse shkojnë deri në 3 milionë euro në sezon.

Pa bonuse të tjera për golat apo paraqitjet, Daku me kontratën e re të vlefshme deri në verën e 2029 i ka siguruar minimumi 12 milionë euro.

Sipas medieve ruse, sulmuesi 27-vjeçar i kombëtares shqiptare do të fitojë 3 milionë euro në sezon me kontratën e re, një shumë që përfaqëson një rritje të ndjeshme krahasuar me kontratën e mëparshme, ku ai fitonte 700 mijë euro në vit.

Daku ka zgjedhur të qëndrojë në Kazan, ku jo vetëm që do të luajë një rol të rëndësishëm në ekip, por do të përfitojë edhe nga një kontratë shumë më e favorshme financiarisht.

Në marrëveshjen e re është përfshirë edhe një klauzolë strategjike që mund të jetë vendimtare për të ardhmen e tij afatshkurtër.

Pas 6 muajsh, Daku ka të drejtë të largohet nga Rubini nëse në adresë të tij vjen një ofertë e kënaqshme nga ndonjë klub evropian, çka i lë atij derën hapur për një transferim të mundshëm në janar 2026.

/gj.m//r.e//a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›