E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Misioni anti-Elbasan, Vllaznia shpreson të blindojë mbrojtjen

Përmirësimi i repartit difensiv duket se është kthyer në një nga detyrat më të rëndësishme për stafin teknik të Vllaznisë në këtë moment të sezonit. Shkodranët po vuajnë jo pak në fazën mbrojtëse, teksa golat e pësuar janë kthyer në një problem të vazhdueshëm për skuadrën kuqeblu.

Pas dhjetë javëve të para të kampionatit, Vllaznia ka pësuar plot 16 gola, duke qenë një ndër ekipet me mbrojtjen më të dobët në Superiore. Në këtë aspekt, vetëm Partizani ka pësuar më shumë se shkodranët, me 21 gola të pësuar deri në këtë pikë të kampionatit. Një statistikë kjo që tregon qartë vështirësitë e Vllaznisë për të ruajtur portën e paprekur dhe për të administruar avantazhet gjatë ndeshjeve. Një problematikë që është shfaqur në vazhdimësi dhe që padyshim ka vënë në alarm edhe stafin teknik.

Ajo që bie më shumë në sy është fakti se kuqeblutë kanë arritur të mos pësojnë gol vetëm në dy nga nëntë takimet e zhvilluara deri më tani. Bëhet fjalë për dy fitoret e arritura ndaj Dinamos, fillimisht me rezultatin 1-0 dhe më pas 2-0 kundër Tiranës. Në të gjitha sfidat e tjera, mbrojtja shkodrane ka lejuar të paktën një gol, duke dëshmuar se ky repart ka nevojë për më shumë siguri dhe koordinim.

Për trajnerin Csaba Lazslo, kjo është një nga çështjet kryesore që duhet zgjidhur në vazhdimësi. Përmirësimi i organizimit në prapavijë, shmangia e gabimeve individuale dhe përqendrimi gjatë gjithë 90 minutave janë elementë që kërkojnë vëmendje të veçantë.

Në një kampionat ku çdo pikë ka rëndësi, vështirë se mund të ndërtohet një skuadër konkurruese pa pasur fillimisht siguri në repartin defensiv. Duke nisur nga përballja e radhës ndaj Elbasanit, Vllaznia do të kërkojë të japë sinjale pozitive edhe në këtë drejtim.

Shkodranët kanë nevojë jo vetëm për rezultate, por edhe për të rikthyer besueshmërinë në lojën mbrojtëse, në mënyrë që të shmangin përsëritjen e gabimeve që u kanë kushtuar pikë të rëndësishme gjatë javëve të fundit.

Ndërkohë, fitorja e fundit e Partizanit e ka bërë edhe më të komplikuar situatën në fundin e tabelës, ku gara për mbijetesë dhe largimin nga zonat e rrezikut po bëhet gjithnjë e më e fortë. Në këto kushte, për Vllazninë nuk mjafton vetëm të gjejë rrugën drejt golit. Për të marrë pikët e nevojshme, skuadra kuqeblu duhet patjetër të përmirësojë mbrojtjen dhe të mësojë të ruajë portën e saj.

© BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›