E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Sulmi ndaj News24/ Ina Zhupa: Rama kërcënoi presidentin e televizionit, se nuk i pëlqen vija editoriale. Represioni vijoi me shembjen e Prestige Resort

Mungesa e lirisë në media është vënë në dukje edhe në progres-raportin e Komisionit Europian gjatë ditës së sotme.

Në lidhje me këtë pikë, që është theksuar nga KE-ja në progres-raport, foli për News24 deputetja demokrate Ina Zhupa.

Zhupa theksoi se nuk ndodh askund në Europë, që një media të dhunohet, ashtu siç ka ndodhur me News24.

Ajo nënvizoi se kryeministri Rama kërcënoi direkt presidentin e News24, sepse nuk i pëlqen vija editoriale e medias. Zhupa shtoi se represioni vazhdoi edhe me shembjen e një pjese të Prestige Resort.

“Kryeministri kërcënoi median në vetën e parë. Kryeministri në vetën e parë ka sulmuar median, ka sulmuar presidentin e medias News24. Kërcënoi News24, sepse nuk i pëlqen linja editoriale, që është në mbrojtje të interesit të qytetarëve shqiptarë, në transmetimin e protestave dhe problematikave që kanë qytetarët. Nuk ka vend tjetër në BE, që bëhen të tilla kërcënime të drejtpërdrejta ndaj një televizioni, që ka vuajtur represionin. Ju u përzutë nga studiot tuaja, sepse do bëhej afera KAYO atje. Më pas vijoi me shembjen e Prestige Resortit, që iu vendos tritol në kulmin e sezonit turistik.

Janë dhunuar edhe gazetarët, janë sulmuar nga Policia e Shtetit ndërsa kryenin detyrën. Liria e shprehjes në Shqipëri po cenohet, me ligjet e reja që Edi Rama kërkon të vendosë në Kodin Penal, për të ngushuar lirinë e gazetarëve, që të garantojë një kuti të mbyllur, për korrupsionin qeveritar. Dhe ky është një standard që kërkon Bashkimi Europian. BE dëshiron standard sa i përket lirisë së medias dhe të shprehjes”, deklaroi Zhupa.

© BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›