E Diel, 1 Nëntor 2026

Mitrovica e Veriut shfuqizon vendimin e kuvendit të kaluar komunal për emërtimin e 87 rrugëve

PRISHTINË, 30 janar /ATSh/ Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut në seancën e sotme ka miratuar propozimin për shfuqizimin e vendimit për miratimin e listës për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe hapësirave publike në këtë komunë, i cili ishte marrë nga përbërja e kaluar e kuvendit.

Për shfuqizimin e këtij vendimi votuan 12 asamblistë, ndërsa dy ishin kundër.

Vendimi për rrugët ishte marrë më 25 gusht të vitit të kaluar, kur kuvendi përbëhej nga shumica shqiptare, vendim ky me të cilin ishin ndryshuar emrat e 87 rrugëve, gjë që proceduralisht ishte pranuar nga ministria.

Megjithatë, me të marrë pushtetin, Lista Serbe kërkoi që ai vendim të shfuqizohet, gjë që ndodhi sot.

Lidhur me këtë, ish-kryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Nexhat Ugljani, ka deklaruar për KosovaPress, se procesi i emërtimit të rrugëve është zhvilluar në përputhje me ligjin dhe brenda kuadrit të qeverisjes lokale.

Ai thekson se Lista Serbe do të ndjekë rrugën juridike për vendimet e kontestuara dhe se të gjitha vendimet e marra nga Kuvendi kanë qenë në përputhje me ligjin për vetëqeverisjen lokale.

Ish-kryesuesi shtoi se ministria do të vendosë për sa i përket vendimit të sotëm, pasi emërimi i rrugëve për 10 vite ka përfunduar.

/KosovaPress//r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›