E Diel, 1 Nëntor 2026

Mitrovica e Veriut dhe Zubin Potoku tërhiqen nga Asociacioni e Komunave të Kosovës

PRISHTINË, 30 janar /ATSh/ Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut ka miratuar sot vendimin për tërheqjen nga Asociacioni e Komunave të Kosovës, me 12 vota pro dhe dy vota kundër. Aty është anuluar edhe vendimi i Kuvendit Komunal të mëparshëm që kishte shumicë shqiptare, me të cilin ishin emëruar 87 rrugë.

Në seancën e kaluar, të mbajtur më 18 dhjetor, me kërkesë të kryetarit të sapozgjedhur të Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviç, ishte miratuar kërkesa për daljen e komunës nga AKK. Megjithatë, sot u votua sërish për të njëjtën kërkesë, pasi ajo ishte kthyer nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, me arsyetimin se “procedura nuk kishte qenë si duhet”.

Zëvendëskryesuesja e Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, Aida Doli Ferati, ka kritikuar mënyrën se si po trajtohet vendimi për tërheqje nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, duke thënë se ky veprim nuk po bëhet në interes të qytetarëve.

Ajo theksoi se vendimi po shtyhet më shumë për arsye politike, duke e konsideruar të papranueshme që të përdoret retorika e “të mirës së qytetarëve”, ndërkohë që, sipas saj, veprimet nuk janë në atë drejtim.

Anëtari i Kuvendit të Komunës i iniciativës “Veriu për të gjithë”, Marko Jakshiç, tha se mbështet vendimin dhe procedurat e ndjekura, por vuri në dukje se ka situata të komplikuara kur disa komunitete nuk pajtohen me shumicën.

Gjatë seancës së sotme në Kuvendi Komunal të Mitrovicës së Veriut është miratuar edhe propozim-vendimin për shfuqizimin e Vendimit për miratimin e listës për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe hapësirave të tjera publike në këtë komunë, i cili ishte marrë nga përbërja e kaluar e kuvendit, më 25 gusht të vitit të kaluar, kur ishin ndryshuar emrat e 87 rrugëve.

Për shfuqizimin e këtij vendimi votuan 12 asamblistë, ndërsa dy ishin kundër.

Marko Jakshiç nga iniciativa “Veriu për të gjithë”, gjithashtu theksoi se vendimi ishte marrë pa konsultime dhe se disa emra rrugësh ishin të papërshtatshëm, duke kërkuar rikthimin e gjendjes në mënyrë që të mos dëmtohej asnjë qytetar, pavarësisht komunitetit.

Jakshiç gjithashtu kërkoi që procedura të bëhet më me kujdes në mënyrë për të shmangur refuzimin e vendimit nga Ministria.

Asamblisti nga Partia Demokratike e Kosovës, Emir Azemi tha se emërtimi i rrugëve ku jetojnë komunitete të ndryshme është i ndërlikuar dhe se problemi nuk është vetëm i serbëve, por edhe i shqiptarëve.

Po ashtu, edhe Komuna e Zubin Potokut ka miratuar vendimin për tërheqjen nga Asociacioni e Komunave të Kosovës (AKK).

Këtë e konfirmoi për KosovaPress asamblisti nga rradhët e Vetëvendosjes, Vedat Mehmeti, i cili tha se për këtë vendim është votuar dhe vetëm dy asamblistë kanë qenë kundër.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›