E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjedisi dhe Integrimi, gati “filtri” i ri për ndotësit, qeveria synon zhbllokimin e 6 milionë eurove nga BE

Në kuadër të përshpejtimit të integrimit evropian dhe përmbushjes së kritereve të “Planit të Rritjes”, Ministria e Mjedisit dhe Ekonomisë dhe Inovacionit ka përgatitur një kornizë të re ligjore që ndryshon rrënjësisht mënyrën se si monitorohet ndotja industriale në Shqipëri.

Ministri Sofjan Jaupaj ka propozuar miratimin e rregullores “Mbi kushtet dhe procedurat e verifikimit të shkarkimeve të gazeve me efekt serrë”, një akt që synon të vendosë nën kontroll të rreptë dhe të certifikuar emetimet nga industria, aviacioni dhe tregtia e karburanteve.

Kushti për 6 milionë euro

Sipas relacionit zyrtar, miratimi i kësaj pakete nuk është thjesht një detyrim teknik, por një kusht financiar i lidhur drejtpërdrejt me fondet e Brukselit. Dokumenti thekson se ngritja e sistemit të Monitorimit, Raportimit dhe Verifikimit (MRVA) brenda dhjetorit 2025 është pjesë e “Agjendës Kombëtare të Reformave”.

“Me plotësimin e kuadrit ligjor për zbatimin e MRVA-së qeveria shqiptare do të përfitojë shumën e financimit të parashikuar në masën 6,016,874 Euro,” citohet në relacionin e projektvendimit. Këto fonde vijnë nga instrumenti i ri i BE-së, “Faciliteti për Reforma dhe Rritje”.

Kush preket nga rregullat e reja?

Rregullorja, e cila përafron legjislacionin shqiptar me atë evropian (Rregullorja BE 2018/2067), vendos detyrime të reja për tre kategori kryesore: instalimet industriale, fabrikat dhe uzinat prodhuese; aviacioni civil, operatorët e avionëve; tregtuesit e lëndëve djegëse, subjektet e rregulluara që hedhin karburante në treg.

Këto biznese nuk do të mund të bëjnë më vetëm vetë-deklarime të thjeshta. Ato do të jenë të detyruara të kontraktojnë “verifikues të akredituar” (auditorë të pavarur të licencuar) për të certifikuar saktësinë e raporteve të tyre të ndotjes.

Kostot dhe gjobat

Relacioni pranon se zbatimi i këtij sistemi do të sjellë kosto shtesë për sektorin privat, të cilët do të duhet të paguajnë tarifat e verifikuesve. Megjithatë, Ministria paralajmëron se “nëse bizneset nuk raportojnë saktë ose nuk përmbushin detyrimet, ato mund të penalizohen financiarisht”.

Procesi i verifikimit në terren parashikohet të nisë plotësisht në vitin 2027, ndërkohë që periudha aktuale do të shërbejë për akreditimin e ekspertëve nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit. Ky sistem synon ta përgatisë Shqipërinë për t’u bërë pjesë e tregut europian të kuotave të karbonit (EU ETS) në të ardhmen.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›