E Hënë, 2 Nëntor 2026

MoMA, Centre Pompidou dhe M+ krijojnë një aleancë të re kulturore ndërkombëtare - ATSH -

NEW JORK, 1 nëntor /ATSH/ – Tre prej institucioneve më të njohura të artit modern dhe bashkëkohor në botë, Museum of Modern Art (MoMA) në Nju Jork, Centre Pompidou në Paris dhe muzeu M+ në Hong Kong, kanë krijuar një aleancë të re kulturore ndërkombëtare, me synimin për të zgjeruar bashkëpunimin artistik dhe për të sjellë koleksionet e tyre më pranë publikut në mbarë botën.

Marrëveshja kuadër u nënshkrua më 30 tetor në Hong Kong, nga drejtuesit e tre institucioneve: Christophe Cherix, drejtor i MoMA-s, Laurent Le Bon, president i Centre Pompidou, dhe Suhanya Raffel, drejtoreshë e muzeut M+.

Bashkëpunimi parashikon organizimin e ekspozitave dhe programeve të përbashkëta, huazimin afatgjatë të veprave të artit, si dhe shkëmbimin e përvojave në kërkimin kuratorial dhe konservimin e koleksioneve.

Sipas njoftimit të institucioneve, aleanca do të krijojë mundësi të reja për rreth 10 milionë vizitorët që tre muzetë presin çdo vit fizikisht, si dhe për 125 milionë vizitorët e tyre online.

Të vendosura në tri qendra të rëndësishme kulturore – Nju Jork, Paris dhe Hong Kong – institucionet sjellin perspektiva të ndryshme mbi artin modern dhe bashkëkohor, duke përfshirë krijimtarinë e shekujve XX dhe XXI.

Pavarësisht bashkëpunimit të ri, secili muze do të ruajë identitetin dhe pavarësinë e vet institucionale.

Aleanca synon të forcojë shkëmbimin ndërkombëtar të përvojave dhe njohurive, të zgjerojë qasjen e publikut në koleksione të rëndësishme artistike dhe të krijojë mundësi të reja për dialogun kulturor ndërmjet kontinenteve.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›