E Diel, 1 Nëntor 2026

Modele të reja për institucionet dhe bashkitë, Komisioneri: Synojmë më pak burokraci për qytetarët

Institucionet shtetërore dhe bashkitë në të gjithë vendin do të duhet të ndjekin standarde të reja në mënyrën se si publikojnë informacionin zyrtar. Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale njoftoi miratimin e dy “Programeve Model të Transparencës”, një lëvizje që synon të rrisë llogaridhënien dhe t’u japë qytetarëve akses më të shpejtë në dokumente.

Këto programe të reja vijnë si përmbushje e detyrimeve të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” dhe shërbejnë si udhërrëfyes për autoritetet se çfarë të dhënash duhet të bëjnë publike vetvetiu.

Më pak kërkesa, më shumë informacion online

 Thelbi i këtij ndryshimi është forcimi i “transparencës proaktive”. Sipas Zyrës së Komisionerit, qëllimi është që qytetarët, gazetarët apo aktivistët të mos jenë të detyruar të nisin kërkesa individuale për çdo informacion, por ta gjejnë atë të publikuar gati në faqet zyrtare. Kjo pritet të reduktojë burokracitë dhe kohën e pritjes për marrjen e të dhënave.

“Nevoja për këtë përditësim lindi pas vlerësimit të situatës aktuale. Edhe pse modelet e vjetra ishin funksionale, ndryshimet e reja ligjore, përfshirë miratimin e Konventës nr. 205 të Këshillit të Evropës dhe kërkesat e procesit të integrimit evropian, e bënë të domosdoshëm një standard më të lartë.”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Detyrim i veçantë për Këshillat Bashkiakë

Një risi e rëndësishme në modelet e reja prek drejtpërdrejt pushtetin vendor. Programi i ri për bashkitë parashikon krijimin e një hapësire të dedikuar (rubrikë të veçantë) ekskluzivisht për veprimtarinë e Këshillave Bashkiakë dhe Këshillave të Qarqeve.

Njoftimi nënvizon se duke qenë se Këshillat janë organet kryesore vendimmarrëse në nivel lokal, ky ndryshim synon të hedhë dritë mbi mënyrën se si merren vendimet që prekin komunitetet, duke i bërë proceset më të dukshme për publikun.

Zyra e Komisionerit vlerëson se zbatimi i këtyre modeleve do ta kthejë transparencën në një instrument më efektiv në shërbim të medias dhe shoqërisë civile.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›