Moment i veçantë në Komisionin për Burimet Natyrore, deputetja socialiste merr pjesë me foshnjën në krah

Konstituimi i Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, këtë të martë, 30 shtator, solli një skenë të këndshme dhe të rrallë për politikën shqiptare.
Deputetja e Partisë Socialiste, Ilva Gjuzi, mori pjesë në mbledhje duke mbajtur në krah foshnjën e saj duke ofruar një moment të bukur.
Prezenca e foshnjës u prit me buzëqeshje e vlerësime nga kolegët, ndërsa kryetarja e komisionit, Anila Denaj, e cilësoi si simbol mbarësie dhe si një shembull të mirë për barazinë gjinore.
“Një fëmijë në këtë komision gjithmonë është mbarësi. Shpresoj që të jetë jo vetëm një prezencë e mirë e fëmijës tuaj, por edhe në frymë të zhvillimit të qëndrueshëm dhe një nga objektivat që ka zhvillimi i qëndrueshëm, është ajo që lidhet me barazinë gjinore dhe politikat në frymë të kësaj. Prezenca juaj me fëmijën këtu e përshtat atë më së miri”, u shpreh Denaj.
Gjuzi, gjatë fjalës së saj, theksoi rëndësinë që komisioni të përqendrohet tek aspektet teknike të projektligjeve dhe të shmangen debatet politike të panevojshme.
Ky gjest i prezencës së fëmijët, teksa nëna ishte në punë, u pa si një hap i vogël drejt një politike më gjithëpërfshirëse dhe njerëzore.
/rtsh.al/