E Diel, 1 Nëntor 2026

Momenti historik për fundin e luftës/ Sot 27 vjet nga ndërhyrja ajrore e NATO-s në Kosovë

Shënohen sot 27 vjet nga nisja e fushatës ajrore të NATO-s kundër objektivave ushtarake dhe policore të Serbisë dhe Malit të Zi.

Sulmet filluan më 24 mars 1999, rreth orës 19:45, kur avionët e NATO-s goditën për herë të parë pozicionet strategjike të ushtrisë së atëhershme jugosllave siç quheshin dy republikat e ish-federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi. Vendimi për ndërhyrje u mor nga presidenti amerikan Bill Clinton, i cili në një fjalim publik theksoi se ndërhyrja ishte e domosdoshme pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për të ndalur konfliktin në Kosovë. Ai fajësoi udhëheqjen serbe, në krye me Slobodan Milošević, për përshkallëzimin e dhunës dhe refuzimin e paqes.

Fushata ajrore vazhdoi deri më 9 qershor 1999, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, që i dha fund operacioneve ushtarake. Dy ditë më pas, forcat serbe nisën tërheqjen nga Kosova.

Kjo ndërhyrje konsiderohet si operacioni i parë i madh ushtarak i NATO që nga themelimi i saj. Qëllimi kryesor ishte ndalimi i dhunës dhe spastrimit etnik në Kosovë, në një kohë kur përpjekjet ndërkombëtare për zgjidhje paqësore kishin dështuar.

Gjatë konfliktit, mijëra shqiptarë të Kosovës u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa shumë të tjerë humbën jetën ose rezultojnë ende të zhdukur. Pas përfundimit të luftës, Kosova u vu nën administrim ndërkombëtar dhe u vendosën forca paqeruajtëse, duke shënuar një moment kyç për stabilitetin dhe zhvillimet politike në rajon.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›